Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po viziton Abu Dhabin në Emiratet e Bashkuara Arabe për të shprehur, siç thotë ai, solidaritetin vëllazëror me këtë vend në një kohë kur vendet e Gjirit Arabik jetojnë në kohëra të trazuara si pasojë e luftës në Iran.
Lajmin e konfirmoi vetë Rama në rrjete sociale ku e përshkruan Iranin “si një shtet të mbetur në qoshen e errët të historisë” dhe shpreh bindjen se vendet mike të Shqipërisë do të dalin më të forta se kurrë nga sprova e këtij konflikti.
Në mesazhin e tij, Rama përmend edhe raportin e afërt me presidentin e Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke e cilësuar si “mik të shtrenjtë” dhe duke rikonfirmuar lidhjet e forta mes dy vendeve.
“Në Abu Dabi, për të shprehur drejtëpërdrejtë solidaritetin vëllazëror me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe mikun e shtrenjtë, Presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, në këtë kohë të trazuar për vendet mike të Gjirit Arabik, të cilat jam i bindur se do të dalin më të forta se kurrë më parë nga sprova e një konflikti ku u bënë shënjestër e hakmarrjes së verbër të një shteti të mbetur në një qoshe të errët të historisë”, shkroi Rama në Facebook.