Rama kritikon Kurtin: Sot u bë kryeministër me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti pas formimit të Qeverisë së re, duke pretenduar se ai është zgjedhur në këtë pozitë me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.
Përmes një postimi në facebook, Rama ka thënë se në sallë nuk ishte asnjë deputet tjetër shqiptar dhe e ka cilësuar këtë si dëshmi të mungesës së bashkëpunimit politik të Kurtit me subjektet tjera shqiptare, shkruan IndeeksOnline.
“Përtej çdo afati kushtetues, sot Albin Kurti zgjodhi veten Kryeministër të Kosovës me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe. Asnjë deputet tjetër shqiptar nuk ishte në sallë. Kjo pamje, flet më shumë se makineria e tyre propaganduese se opozita po bllokon. Albin Kurti pas 16 viteve në politikë rreth vetes nuk e ka asnjë subjekt politik shqiptar me të cilin ka ndërtu një minimum besimi! Çuditërisht këtë besim e ka me listen serbe! Nuk ka mbetur asnjë subjekt politik shqiptar që Albin Kurti nuk e ka prerë në besë, përçmuar, akuzuar apo shpallur armik në një moment të caktuar”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:
Përtej çdo afati kushtetues, sot Albin Kurti zgjodhi veten Kryeministër të Kosovës me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.
Asnjë deputet tjetër shqiptar nuk ishte në sallë.
Kjo pamje, flet më shumë se makineria e tyre propaganduese se opozita po bllokon.
Albin Kurti pas 16 viteve në politikë rreth vetes nuk e ka asnjë subjekt politik shqiptar me të cilin ka ndërtu një minimum besimi! Çuditërisht këtë besim e ka me listen serbe!
Nuk ka mbetur asnjë subjekt politik shqiptar që Albin Kurti nuk e ka prerë në besë, përçmuar, akuzuar apo shpallur armik në një moment të caktuar.
Dhe paradoksi ishte brutal.
Njeriu që për vite të tëra ua mati të tjerëve patriotizmin, sot e siguroi pushtetin me votat e Listës Serbe.
Por edhe më shqetësues se aritmetika parlamentare ishte gjuha e pushtetit.
Gjesti i tij i parë si Kryeministër ishte: “me pre me gërshërë”.
Kënd, Albin?
Gazetarët?
Opozitën?
Kundërshtarët politikë?
Apo 52.87% e qytetarët që nuk të kanë votuar?
Kënd ki me pre me gërshërë, Albin Kurti?

Lexo edhePolicia e Kosovës sqaron masat e sigurisë para 16 shtatorit: Janë procedura të rregullta policore
Sepse ka një fakt elementar që ti nuk guxon me harru:
52.87% e qytetarëve që votuan në këto zgjedhje nuk e votuan Vetëvendosjen. Pra, më shumë se gjysma e votuesve zgjodhën dikë tjetër.
Ditën kur bëhesh Kryeministër, duhet të pushosh së qeni vetëm Kryeministër i atyre që të votuan. Këtu fillon dallimi ndërmjet liderit të një partie dhe Kryeministrit të një shteti.
Një Kryeministër nuk gjykohet vetëm nga vendimet që merr. Gjykohet edhe nga mënyra se si e koncepton pushtetin. Prandaj gjesti i sotëm nuk ishte vetëm i pahijshëm. Ishte politikisht domethënës.
Sepse një njeri mund ta ketë pushtetin institucional dhe prapë të mos e ketë kulturën institucionale që kërkon ai pushtet.
Mund ta fitosh votën dhe ta humbësh masën.
Mund ta marrësh pozitën dhe të mos e përvetësosh dinjitetin e saj. Mund të bëhesh Kryeministër dhe të vazhdosh të sillesh sikur je në luftë permanente me këdo që nuk mendon si ti.
Kosova ka sakrifikuar tepër shumë për t’i ndërtuar këto institucione. Ka njerëz që i kanë parë me emocion duke u ngritur, sepse për ta Parlamenti dhe Qeveria nuk kanë qenë skena politike. Kanë qenë realizimi i një ëndrre shekullore për shtet.
Ti dikur i përdhose këto institucione me gaz lotsjellës. Sot, nga maja e tyre i degradove.
Dhe këtu qëndron problemi më i madh:
Kosova nuk ka nevojë për një Kryeministër që di vetëm t’i mundë kundërshtarët me hile e numra, natën, shpejtë, në seanca të jashtëzakonshme në kordinim me serbët. Ka nevojë për një Kryeministër që është i aftë t’i përfaqësojë të gjithë.
E ti nuk e përfaqëson këtë popull!
Sot, nga ajo sallë, Albin Kurti dole si Kryeministër i Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.
I Vetëvendosjes, ku sjellja prej palaçoje janë identitet politik dhe i Listës Serbe, votat e së cilës sot të bënë Kryeministër. Tregoji qytetarëve çka të lidh me ta dhe prej nga vjen ky besim i ndërsjelltë?
Më vjen keq për njerëzit e mirë të këtij vendi që kanë vendosur t’i rrisin fëmijët këtu!
Ti, natyrisht, nuk je njëri prej tyre.
Ti ke zgjedhur që fëmija yt të rritet jashtë Kosovës, ndërsa fëmijëve tanë këtu ua len si model publik këtë gjuhë, këtë sjellje dhe këtë nivel të ushtrimit të pushtetit. Mjerim.












