Pas publikimit të një hulumtimi tronditës nga mediumi “Vox Kosova”, i cili zbuloi se qytetarët e Kosovës kanë konsumuar peshk të ngrirë të kontaminuar me krimba në disa nga marketet vendore, reagimi i ministrit në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka shkaktuar edhe më shumë zemërim publik.
Në vend që të ofrojë një përgjigje të qartë ndaj këtij skandali, ministri Peci ka publikuar në Facebook një fotografi ku shfaqet duke buzëqeshur, pa asnjë koment lidhur me situatën që ka alarmuar opinionin publik.
Sipas hulumtimit, peshku i importuar ishte cilësuar i rrezikshëm për konsum dhe ishte marrë vendim për asgjësimin e tij nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministria e Bujqësisë, por ky vendim nuk ishte zbatuar në praktikë. Madje, produkti problematik kishte vazhduar të qëndrojë në treg, duke u shitur qytetarëve.
Ironikisht, autoritetet kishin deklaruar më pas se peshku me krimba “mund të konsumohet nëse gatuhet në temperaturë të lartë”, deklaratë që ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale.
Hulumtimi përmend edhe një sinjalizues të brendshëm, i cili e kishte njoftuar personalisht ministrin Peci për rrezikun, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi përgjegjësinë institucionale dhe heshtjen publike.
Ndërkohë që qytetarët kërkojnë hetim të thelluar dhe transparencë të plotë, ministri Peci duket i painteresuar për krizën që ka shpërthyer, me postimin e tij më të fundit që perceptohet nga shumë komentues si një shenjë arrogance dhe mungesë ndjeshmërie ndaj shqetësimeve të qytetarëve./lajmi.net/