Qytetarët e Vushtrrisë kërkojnë anulimin e vendimit për Kalanë e qytetit
Kalaja e qytetit të Vushtrrisë përmes një vendimi të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore me datën 07.07.2017 është dhënë në shfrytëzim për pesë vite me qëllim që të shfrytëzohet si restorant.
Ky vendim përmes mediave është konfirmuar si nga Komuna e Vushtrrisë ashtu edhe nga drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve apo IKMM-së, Agim Gërguri.
Ky vendim është bërë me arsyetimin se kalaja është dhënë me qëllim që të funksionalizohet dhe të mbrohet nga dëmtimet.
Megjithatë përfaqësuesit e grupit qytetarë thonë kanë reaguar ndaj këtij vendimi, duke kërkuar anulimin e tij.
“Ne si qytetarë të Vushtrrisë, jemi të shqetësuar për këtë vendim pasi që përmes tij qytetarëve po u privohet shfrytëzimi i njërës nga hapësirat kryesore kulturore. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë se praktika të tilla të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nga bizneset private kanë rezultuar në dëmtimin e tyre dhe për këtë nuk është dhënë asnjë përgjegjësi.
Një shembull i tillë është Ura e Vjetër e Gurit në qytetin tonë që për momentin shfrytëzohet si oborr restoranti. Gjatë këtij viti anësoret e kësaj ure janë rrezuar në mungesë të mirëmbajtjes adekuate nga pronarët”, thuhet në kërkesën e grupit të iniciativës ‘Qytetarët në mbrojte të Kalasë’.

Lexo edhe200 euro qira për Kalanë, pagesa fillon pas dy viteve (VIDEO)
Në një letër të hapur drejtuar institucioneve si dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, që të revokohet vendimi i Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në mënyrë që kalaja të jetë e hapur për zhvillimin e aktiviteteve kulturore nën administrimin e Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport ashtu siç ka qenë para vendimit të këtij instituti.
Përfaqësuesit e qytetarëve të Vushtrrisë kanë thënë se në rast se ky vendim nuk anulohet, do të organizohen edhe protesta.
Përfaqësuesit e qytetarëve të Vushtrrisë të cilët kanë nënshkruar kërkesën janë:
Leonora Aliu – Gazetare
Gazmend Gjyshinca – Aktivist
Jeton Sallahu – Historian
Burim Rexhepi – Historian
Mentor Merovci – Aktivist
Shukrane Begu – Etnologe dhe Folkloriste
Besmir Ahmeti – Aktivist














