Presidenti rus Vladimir Putin tha se kishte arritur mirëkuptime me presidentin amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë, gjatë takimit të tyre muajin e kaluar në Alaskë, sipas BBC.
Por ai nuk tha nëse do të pranonte bisedime paqeje me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të ndërmjetësuara nga Trump, i cili duket se kishte caktuar të hënën si afat për përgjigjen e Putinit.
Duke folur gjatë një samiti në Kinë, Putin vazhdoi të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën, duke fajësuar sërish perëndimin për luftën.
Pas takimit në Alaskë, i dërguari special amerikan Steve Ëitkoff tha se Putin kishte rënë dakord për garanci sigurie për Ukrainën, edhe pse Moska ende nuk e ka konfirmuar. Putin foli në Tianjin gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku falënderoi Kinën dhe Indinë për mbështetjen e tyre dhe për përpjekjet për të zgjidhur krizën ukrainase.
Putin theksoi se dakordimi me Trumpin mund të hap rrugën për paqe, por përsëriti se lufta është rezultat i një grushtshteti të mbështetur nga perëndimi dhe përpjekjeve për të futur Ukrainën në NATO. Ai ka kundërshtuar gjithmonë anëtarësimin e Ukrainës në aleancën perëndimore.
Macron të premten tha se Putin përballej me një afat të Trump për të pranuar bisedime paqeje me Zelenskyn, ndërsa Trump vetë i dha disa javë për një përgjigje. Trump propozoi një marrëveshje të përhershme paqeje, pa hyrje të Ukrainës në NATO, por me garanci sigurie nga SHBA dhe Evropa, pa dërguar trupa.
Zelensky priste një kornizë të shkruar për garancitë e sigurisë këtë javë, por Rusia kritikoi propozimet perëndimore si “njëanshme” dhe vazhdoi sulmet ajrore, duke vrarë 23 persona në sulmin më të madh deri tani.
Gjermania dhe Franca kanë premtuar presion mbi Rusinë për të arritur marrëveshje.
Zelensky refuzoi një zonë tampon dhe akuzoi Rusinë se nuk është gati për diplomaci.