Me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit të Kroacisë, një delegacion i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për Krimet e Luftës, me fokus në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe koordinimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Delegacioni i Kosovës ishte i përbërë nga Kryeprokurori i Shtetit, Blerim Isufaj, dhe prokurorët e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës, Ilir Morina dhe Florije Shamolli. Konferenca u mbajt në Kroaci dhe trajtoi si temë kryesore përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, raporton lajmi.net
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Kryeprokurori Isufaj paraqiti punën që po kryen Prokuroria Speciale e Kosovës në këtë fushë, duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e institucionit për drejtësi dhe përgjegjësi.
“Kryeprokurori Isufaj informoi të pranishmit mbi punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve, angazhimin dhe përkushtimin e institucionit në hetimin e krimeve të luftës dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.”
Gjatë qëndrimit në Kroaci, Kryeprokurori Isufaj zhvilloi edhe një takim bilateral me Kryeprokurorin e Kroacisë, Ivan Turudic, ku u diskutuan mundësitë për forcimin e marrëdhënieve profesionale dhe institucionale mes dy vendeve.
“Ata diskutuan tema me interes të përbashkët në fushën e drejtësisë, dhe u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë mes dy vendeve. Ndërkohë, edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë konferencë u pajtuan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë dhe në marrjen e masave që mundësojnë mbrojtje adekuate të viktimave të këtyre shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës./Lajmi.net/