Gjykata Speciale në Hagë po përqendron vëmendjen te pyetjet që ndërlidhen me strukturën vendimmarrëse brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u fokusuar veçanërisht në periudhën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe demilitarizimit, si dy momente kyçe të vendimmarrjes politike dhe ushtarake.
Analisti Agon Maliqi, përmes një reagimi publik, ka komentuar se pyetjet dhe kërkesat e gjykatësve ndaj dëshmitarit James Rubin e nxjerrin në pah thelbin e procesit: përpjekjen për të kuptuar nëse ka ekzistuar një zinxhir komandues brenda UÇK-së dhe nëse Hashim Thaçi kishte “kontroll efektiv” mbi zhvillimet në terren, transmeton lajmi.net.
Sipas Maliqit, e gjithë aktakuza e Prokurorisë ndaj Thaçit bazohet në konceptin e përgjegjësisë komanduese, pa pasur dëshmi të drejtpërdrejta që e lidhin Thaçin me urdhërimin e krimeve. Ai thekson se prokuroria po përpiqet të ndërtojë një rast të gjerë mbi bazën e dokumenteve dhe dëshmive që flasin për krime të shpërndara në kohë dhe hapësirë, të cilat i atribuohen një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
“Prokuroria, në këtë përpjekje artificiale për të ndërtuar rast masiv, ka dalë nga binarët duke e ndërtuar një narrativë të shtrembëruar të luftës, thuajse UÇK-ja doli në male për të kontrolluar territor prej pikës së qejfit, e jo sepse po përballej me një regjim gjenocidal,” shkroi Maliqi.
Ai shton se barra e provës për të dëshmuar ekzistencën e një strukture të centralizuar dhe komandë efektive në rrethana të një lufte si ajo në Kosovë është “tepër e lartë” dhe e vështirë për t’u përmbushur sipas standardeve të drejtësisë ndërkombëtare.
Analisti përmend edhe precedentët ndërkombëtarë ku vërtetimi i kontrollit efektiv ka dështuar, përfshirë rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina në apelin për operacionin “Oluja” dhe rastin e Milan Milutinović, president i Serbisë, për të cilin Gjykata e Hagës konstatoi se fuqia efektive qëndronte në nivelin federal te Sllobodan Millosheviq.
Sipas Maliqit, edhe përbërja e trupit gjykues në rastin ndaj Thaçit reflekton këtë fokus: gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux është një njohës i thellë i konceptit të përgjegjësisë komanduese dhe ka shkruar libra për këtë temë./lajmi.net/