Pritje të mëdha në kufirin Kosovë-Shqipëri, s’respektohet marrëveshja
Kolona të gjata po krijohen në pikëkalimin kufitar në Vërmicë tash e disa ditë, për shkak që Policia e Shqipërisë nuk po e respekton marrëveshjen për kalimin me procedurë të përshpejtuar.
Kështu duket pika kufitare në Vërmicë në orët e pasdites. E, qytetarët të cilët duan të hynë nga Shqipëria në Kosovë, i duhet të presin radhë të gjata deri mbi një orë, raporton KTV.
Pritje të tilla të qytetarëve për të hyrë në Kosovë, ishin edhe pasditen e së dielës.
Këto pritje, qytetarët thonë se po u sjellin shumë telashe.
Por, disa prej tyre thonë se pritjet nuk janë të gjata, pasi që kjo zakonisht ndodh në sezonin e verës.
E, derisa po xhirohej kolona e gjatë të dielën pasdite, policia kufitare liroi veturat që të kalojnë kufirin me procedurë të përshpejtuar.

Lexo edheFatmir Limaj e quan frikacak Shpend Ahmetin: S’guxon me marrë vendime
Derisa kolonat për të hyrë në Kosovë, nga pikëkalimi kufitar në Vërmicë, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ditëve të fundit kanë zgjatur deri në 5 orë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili këtë vikend vizitoi këtë pikë kufitare, tha se vështirësi janë në pjesën e kufirit të Shqipërisë, për shkak të infrastrukturës së pamjaftueshme për kalimin e automjeteve e sidomos kamionëve dhe maunave nga Shqipëria në Kosovë.
Nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes e deri në muajin e kaluar, në Pikën e Përbashkët të Kalimit kufitar Vërmicë-Morinë, kanë kaluar mbi 1 milion persona.














