
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot dekretin përmes të cilit e mandaton Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Vendimi i Presidentes Osmani vjen pas propozimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti politik që ka dalë fitues në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, duke siguruar numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, raporton lajmi.net
Sipas nenit përkatës të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandatari për formimin e Qeverisë është i detyruar që brenda 15 ditëve nga momenti i dekretimit të paraqesë përbërjen dhe programin qeverisës para Kuvendit për miratim.
Presidentja Osmani i ka uruar z. Kurti suksese në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të një Qeverie me mandat të plotë kushtetues. /Lajmi.net/