Presidenti i Francës: Bashkimi Evropian shumë i dobët dhe joefikas për momentin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian është shumë e dobët, shumë e ngadaltë dhe shumë joefikase për momentin.
“Evropa, që ne njohim, është sot tepër e dobët, shumë e ngadaltë dhe tepër joefikase. Por vetëm Evropa mund të na japë mjete për të vepruar në skenën botërore përballë sfidave tona të ditës. BE-ja duhet të reformohet me mbështetjen e popujve për të qenë sovrane, e bashkuar dhe demokratike”, tha ai gjatë një fjalimi në Universitetin e Sorbonës, në Paris.
Pasi u bëri thirrje liderëve të vendeve anëtare të BE-së për të marrë në konsideratë dhe shqyrtuar këtë çështje, Emmanuel Macron shprehu dëshirën e tij për përpilimin e një liste përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në vitin 2019 dhe zgjedhjen e gjysmës së eurodeputetëve sipas kësaj liste.
Macron theksoi gjithashtu se duhet që Eurozona të bëhet një fuqi ekonomike botërore e atillë që të konkurrojë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe që të reduktohet shkalla e papunësisë në vendet e BE-së, ku çdo 1 ndër 5 të rinj është i papunë.
Duke tërhequr vëmendjen mbi mungesën e kulturës së përbashkët strategjike të vendeve të BE-së në fushën e mbrojtjes, presidenti francez propozoi si të nevojshëm forcimin e Evropës për mbrojtjen dhe sigurinë duke krijuar një forcë të përbashkët për ndërhyrjen evropiane, një buxhet për mbrojtjen e përbashkët dhe një doktrinë të përbashkët për të reaguar.
Ai kërkoi gjithashtu krijimin e një akademie evropiane të inteligjencës, një prokurorie evropiane kundër terrorizmit, një force të përbashkët për mbrojtjen civile kundër fatkeqësive natyrore, një zyre evropiane për azilkërkuesit dhe një policie kuftiare evropiane.

Lexo edhePalestina bëhet anëtare e Interpol-it
“Ose do të mbyllim kufijtë, ose do të ndërtojmë në kufi një hapësirë të përbashkët për azil dhe emigracion”, u shpreh ai duke nënvizuar se problemi i azilkërkuesve është një çështje me rëndësi për Bashkimin Evropian.
Shefi i Pallatit “Elysee” tha se Franca ka ndërmarrë një reformë për të pritur më mirë azilkërkuesit.
“Pres që këtë ta bëjë edhe BE-ja”, shtoi ai.
Mes propozimeve të tjera, veç buxhetit të përbashkët për ushtrinë evropiane dhe akademisë për stërvitje e saj, Presidenti Macron tha se BE-ja duhet të krijojë po ashtu një taksë unike evropiane për transaksionet financiare.














