Partia e Lirisë deklaroi sot se sektori i turizmit nuk po mbështetet nga qeveria, ndërsa evidentoi disa nga problematikat me të cilat haset ky sektor.
Në një deklaratë për mediet zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se bizneset e vogla po goditen çdo ditë, në vend që të mbështeten.
“Sektori i turizmit jo vetëm që nuk ndihmohet nga qeveria, por po goditet çdo ditë. Bizneset e vogla që mbajnë peshën kryesore të turizmit veror, në vend që të mbështeten për të zgjeruar ofertën përtej muajve të nxehtë, të sigurohet furnizimi me ujë dhe drita, po sulmohen me rruspa, dënohen me gjoba selektive, dhe shantazhohen nga inspektorë që vijnë me porosi politike.
“Qeveria po godet bizneset familjare në Himarë, Ksamil, Vlorë e Durrës që rrëzohen njëra pas tjetrës për t’ia lënë vendin oligarkëve dhe projekteve betonizuese”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, më shumë se 80% e ushqimeve që konsumohen nga turistët janë të importuara.
“Fermerët shqiptarë janë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit, sepse qeveria nuk ka krijuar asnjë mekanizëm të organizuar për ta lidhur bujqësinë me turizmin. Turizmi në Shqipëri pasuron tregjet e huaja duke lënë bujqësinë shqiptare të falimentojë”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi gjithashtu se bregdeti shqiptar është i ndotur.
“Ujërat detare janë të ndotura me baktere dhe mbetje fekale, në nivele që do të çonin në mbylljen e plazheve në çdo vend të BE-së. Asnjë kanalizim i ndarë, asnjë sistem trajtimi, asnjë strategji kombëtare për mbrojtjen e vijës bregdetare, vetëm fasada, vetëm reklama”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu shtoi se Shqipëria ka nevojë për vizion, për mbështetje reale, për investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, për mbrojtje të mjedisit dhe forcim të ekonomisë vendase.
“Mbështetja e vërtetë për ekonominë shqiptare është te fermeri që prodhon domaten, te punëtori i hotelit që jeton me një rrogë sezonale, te familja që ka ndërtuar një bujtinë në fshat”, tha Haxhiu.