Përzgjedhësi i Suedisë e vlerëson Kosovën, flet edhe për Isak

Përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, ka folur para ndeshjes së nesërme ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”, duke vlerësuar lartë kundërshtarin.
“Kosova është një ekip i shkëlqyer, e do futbollin dhe ka ide të qarta për lojën. I pëlqejnë pasimet e shkurtra dhe e kemi parë edhe në Ligën e Kombeve se ka treguar paraqitje të mira. Megjithatë, ne jemi të përqendruar tek objektivat tanë”, ka deklaruar Tomasson.
Strategu danez foli edhe për situatën e sulmuesit Alexander Isak, duke lënë të kuptohet se nuk do të rrezikohet nga minuta e parë.
“Para ndeshjes me Slloveninë pati vetëm tre seanca stërvitore, ndërsa tani ka zhvilluar pesë të tilla. Në atë ndeshje, nëse rezultati do të ishte 1-1, me siguri do të aktivizohej. Por tani duhet të shohim edhe aspektin afatgjatë, jo vetëm atë afatshkurtër”, theksoi ai.

Lexo edheAlcaraz kampion i US Open
Kosova dhe Suedia do të përballen nesër në kryeqytetin kosovar, në një ndeshje të rëndësishme të kualifikimeve drejt Kampionatit Botëror 2026.














