Viti 2017 do të mbahet mend për shumë gjëra, por dy ngjarjet kryesore që shënuan vitin që po lëmë pas janë zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale dhe ato lokale.
Këto dy tema por edhe shumë çështje të tjera u diskutuan sot nga analistët në Info Magazine të Klan Kosovës.
Madje ata zgjodhën edhe personalitet e vitit.
Analisti, Artan Muhaxhiri, si personalitet të vitit zgjodhi kryeministrin, Ramush Haradinaj.
“Për shumë arsye pozitive dhe negative personaliteti i vitit është kryeministri Ramush Haradinaj”.
“E para, ai bëri një kapërcim shumë të madh politik kur bëri koalicionin PAN sepse 2 vjet e gjysmë ishte kundërshtar i ashpër i PDK-së”.
“Bile një javë para koalicionit, tha fjalë shumë të ashpra se “shkatërrimi i Kosovës vjen nga PDK-ja” pastaj brenda një nate i rrezikoi të gjitha dhe u bë koalicioni PAN, ku pastaj dilnin me z. Veseli dhe z. Limaj na ofronin një shpresë madhore që këta tre liderë do t’ia ofronin popullit të Kosovës”.
“Rrezikoi shumë pasi nëse nuk do të ishte bërë kryeministër do ta përfundonte me automatizëm karrierën politike. Sepse nuk do të kishte as moral politik e as kapital njerëzor dhe do ta humbte gjithë atë kredibilitet pozitiv që ka edhe nga lufta dhe nga aktiviteti i deritashëm”.
“Por ai arriti që të bëhet kryeministër dhe me këtë 100 ditësh është duke u munduar që ta kapitalizojë maksimalisht”.
“Ka pasur aspekte negative dhe pozitive të tij, prandaj mendoj që ai është personaliteti i vitit, sa i përket politikës kosovare”.Analistja Jehona Lushaku si personalitet të vitit zgjodhi Behgjet Pacollin, kryetarin e Aleancës Kosova e Re.
“Unë kisha thënë se personalitet i vitit është Behgjet Pacolli”.
“E mendova Pacollin, por gjithsesi se edhe AKR si subjekt politik”.
“Për shkak të kolalcionit që bëri por edhe për atë se si erdhi dhe u faktorizua në Prishtinë për t’i ndihmuar Shpend Ahmetiti që të bëhet kryetar i Prishtinës”.
Ndërsa për Nexhmedin Spahiu, njohësin tjetër të çështjeve politike, personalitet i viti është Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës.
“Agim Bahtiri duke mos pasur një parti të madhe ka sfiduar të gjitha rregullat e lojës”.
“Ai ka treguar qysh fitohet pushteti kur se ke edhe qysh mbahet pushteti kur e ke”.