BallinaLajmeLajmet e FunditPërparim Rama i dorëzon “Çelësin e Prishtinës” Ekrem Bardhës: Nderim për një...

Përparim Rama i dorëzon “Çelësin e Prishtinës” Ekrem Bardhës: Nderim për një jetë në shërbim të çështjes kombëtare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka dorëzuar “Çelësin e Prishtinës” aktivistit të shquar shqiptaro-amerikan dhe biznesmenit, Ekrem Bardha.

Ky akt simbolik u vlerësua si një shenjë e thellë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Bardhës në avancimin e çështjes shqiptare ndër vite.

“Ky akt nuk ishte thjesht ceremonial; ishte një shenjë e drejtësisë historike dhe një falënderim i sinqertë për një jetë të përkushtuar ndaj lirisë, dinjitetit dhe identitetit kombëtar”, tha Rama, në një ceremoni të mbajtur në Detroit, në prani të dhjetëra shqiptarëve të diasporës.

“Ishte një nder i jashtëzakonshëm të isha në mesin e shumë bashkëkombësve tanë patriotë për të nderuar një prej figurave më të mëdha të lobit shqiptar në Amerikë”, u shpreh Rama.

Ekrem Bardha, një emër i njohur për diasporën shqiptare, është bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) dhe ish-pronar i gazetës “Illyria”, që për dekada ka qenë zëri i shqiptarëve në SHBA.

Aktualisht ai mban edhe postin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Michigan.

Në vitin 2023, Bardha botoi librin “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, ku ndan rrëfime dhe dokumente mbi përpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.

Ky nderim, siç u theksua nga kreu i Prishtinës, është gjithashtu një mesazh për brezat e rinj që të mos harrojnë sakrificat e gjeneratave të mëparshme dhe të kujtojnë se liria që gëzojmë sot është rezultat i një përkushtimi të pandërprerë ndaj kombit.

“Faleminderit, Ekrem Bardha!”, përfundoi mesazhin e tij Përparim Rama. /Telegrafi/

- Advertisement -