Përfundon cikli i dëgjimeve buxhetore në Drenas

Komuna e Drenasit, sot ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve buxhetore në vendbanime për të diskutuar planifikimin e buxhetit për vitet 2020-2022, pas marrjes së Qarkores Buxhetore 2020/02 të lëshuar nga Ministria e Financave e cila i ka caktuar kufijtë e planifikimit të për të gjitha linjat e shpenzimeve të parasë publike.
Ndonëse Komuna me kohë dhe sipas Ligjit ka bërë njoftimet e takimeve, madje duke i kontaktuar edhe përmes telefonit kryetar të vendbanimeve e përfaqësues të lagjeve, pjesëmarrja e qytetarëve nuk ka qenë e kënaqshme, mirëpo, ata pjesëmarrës që kanë qenë prezent, kanë adresuar kërkesat e tyre të cilat janë ne interesin e komunitetit ku ata jetojnë.
Te enjten janë zhvilluar dëgjimet buxhetore në shkollën “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran, ku të pranishëm ishin, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, drejtori i Infrastrukturës Lokale, Idriz Hysenaj, drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi, drejtori për Buxhet e Financa, Shyqeri Bublaku, kryetar të fshatrave, qytetarë dhe përfaqësues nga OSBE.
Ne bashkësinë e Komoranit janë përfshirë; Komorani I, II, III dhe IV, Kizhnareka, Nekoci, Sankoci, Fushtica e Ulët dhe e Larta, Korrotica e Ulët dhe e Larta, Zabeli i Ulët dhe i Lartë.
Ndërsa, pasdite është mbajtur dëgjimi buxhetor me banorët e Drenasit I, II dhe III, të fshatit Shtrubullovë, Gllobar, Poklek i Ri dhe i Vjetër, Vasilevë dhe lagja e Feronikelit.
Fillimisht, ne këto dëgjime, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka shpalosur synimet e Komunës për buxhetin e vitit 2020 dhe planifikimin për vitet 2021 dhe 2022 dhe ka treguar për projektet qe do të zhvillohen në lokalitetet e tyre, ndërsa të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet informuese të projekteve kapitale qe janë planifikuar të realizohen gjatë viteve në vazhdim.

Lexo edhe25 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për kompaninë NewCo Ferronikeli
“Ju para vetës keni edhe një draft-listë të investimeve kapitale si dhe një informatë të planifikimit të buxhetit, por ne këto takime, kërkojë nga ana juaj që pasi të shihni propozimet tona, të jepni sugjerimet e juaja, sepse këto takime, kanë për qëllim të përgatisim një buxhet sa me të mirë se bashku me ju për t’i realizuar projektet për vitet e ardhshme”, ka thënë kryetari Lladrovci, duke shtuar se projektet që shini para vetës nuk janë të përfshira edhe ato projekte që marrin mbështetje nga niveli qendror dhe donacionet e ndryshme.
Të pranishmit, kanë paraqitur sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektet që janë në interesin e përgjithshëm të lokalitetit ku ata jetojnë.
Ndryshe, buxheti i Komunës për vitin 2020 do të jetë afër 17 milion euro, një milion më shumë se i këtij vitit, ndërsa afër 5 milion euro janë të dedikuara për investime kapitale, duke mos përfshirë projektet e nivelit qendror, ndërtimin e rrugës me katër korsi, Polluzhë-Komoran, stadiumin dhe projektet të tjera.














