Sot, nga ora 11:00, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në vazhdimin e seancës konstituive. Kjo është hera e dytë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sqaroi se kandidati për kryetar të Kuvendit mund të nominohet vetëm tre herë dhe se votimi duhet të bëhet në mënyrë të hapur.
Në seancën e mbajtur më 20 gusht, partitë politike nuk arritën të konstituojnë legjislaturën e nëntë, duke thelluar kështu krizën institucionale në vend, transmeton lajmi.net
Kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk arritën të sigurojnë shumicën prej 61 votash, pasi morën vetëm 57 vota secila.
Pas dështimit të seancës, Vetëvendosje akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se po bllokojnë formimin e institucioneve, duke theksuar se mosvotimi i Haxhiut nuk është çështje emri, por një përpjekje për të penguar konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, PDK ka përsëritur qëndrimin se do të mbështesë vetëm një kandidat nga Vetëvendosje që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së kaluar. LDK ka deklaruar se Vetëvendosje ka qenë në dijeni që as Haxhiu dhe as Gërvalla nuk do të siguronin mbështetjen e mjaftueshme. AAK ka thënë se pret që në seancën e ardhshme të propozohen kandidatë që kanë përkrahje reale.
Nisma Socialdemokrate ka paralajmëruar se do të abstenojë dhe nuk do të japë votën ‘pro’ pa një marrëveshje politike ndërmjet partive.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt. Deri tani janë zhvilluar 55 seanca për konstituimin e Kuvendit të ri, ndërsa kjo e sotmja është seanca e 56-të.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë, ku përcakton që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, afat i cili përfundon më 18 shtator./lajmi.net/