back to top
Saturday, September 13, 2025
BallinaRegjionaleDrenasPensionohet drenicasja e parë me fakultet

Pensionohet drenicasja e parë me fakultet

Të ngjajshme

Edukimi dhe arsimimi i gjinisë femërore padyshim se ende në  disa vende konsiderohet kusht për emancipim dhe përparim të shoqërisë. Ndonëse, Drenica, ishte një  nga rajonet që më së shumti vuajti nga regjimet e mëparshme, asnjëherë nuk u gjunjëzua duke kundërshtuar regjimet edhe me penën e dijes dhe duke ju dalë në ndihmë njerëzve në nevojë. Këtë rrugë e ndoqi edhe femra e parë me fakultet nga Drenica, Kumrie Kadriu Berani, Transfuziologe, e cila u pensionua më 15 shkurtë të këtij viti.

Kumrie Kadriu Barani, lindi më 15 shkurt 1952 në Likoc të Skenderajt. Ajo shkollën fillore dhe të mesmen, gjimnazin (ishte femra e vetme e gjeneratës së parë së gjimnazit)i kreu në Skenderaj, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, përderisa specializimin për Transfuzion të Gjakut në Lubjanë të Sllovenisë.

Si e re ajo shquhej edhe si moderatore, aktore teatri dhe si poete. Poezitë i botonte në ”Zëri i Rinisë’, ku zinte vendin e parë dhe me mjetet e fituara i financonte mësimet. Kritikë  të  poezive të saj iu kishte bërë edhe shkrimtari i mirënjohur nga Mitrovica, Jakup Ceraja.

Kumrien, kohanikët e saj e kujtojnë edhe si pjesëmarrëse dhe organizatore të  ngjarjeve të atëhershme që lidheshin me përpjekjet e popullit shqiptar, për çka edhe ishte përndjekur nga regjimi i atëhershëm, por fal drejtorit të atëhershëm të shkollës dhe profesorit të matematikës, që më vonë i pari u bë kunati i saj, ndërsa i dyti bashkëshorti i saj i shpëtoi përjashtimit nga shkolla.

Me të përfunduar fakultetin, fillimisht për tri vjet radhazi, ajo punoi si mjeke në Lipjan, një vit si profesoreshë në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”, në Prishtinë dhe si specialiste e Transfuziologjisë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut deri në pensionimin e saj më 15 shkurt 2017.

Kumria është e martuar me të ndjerin, tashmë  Prof. Dr. Idriz Barani, dhe ka katër fëmijë dhe jeton në Prishtinë.

Emri i Kumrie Kadriu Beranit është tashmë i njohur, jo vetëm për rajonin e Drenicës por edhe më gjerë. Puna e saj e përkushtuar që në bankat shkollore dhe deri në pension ishte në shërbim të njerëzve në nevojë.

Drenica Press ka kontaktuar edhe me profesorin e Kumries, Prof. Dr. Avdullah Geci si dhe me një kohanik të saj, gazetarin Sabit Istogu, të cilët thurën lavde nga më të mira, për karakterin dhe punën e saj të palodhshme.

Ja si e kujton si nxënëse Kumrien, profesori universitar i atëhershëm i Biologjisë- Avdullah Geci.

Edhe pse për prof. Gecin, është një kohë e largët, viti 1967 kur ai ka filluar të punoj si profesor i biologjisë në gjimnazin atëherë “Ramiz Sadiku” në Skenderaj, ai kujton disa nxënës të dalluar të cilët me disiplinën, ambiciet dhe angazhimet e tyre në mësime premtonin te ardhmen e tyre të ndritur.

Në mesin e atyre nxënësve, prof Geci,  ndër më të dalluarit kujton edhe Kumrie Kadriun, e që  për të  ajo ka qenë  e vetmja femër në klasë.

“Kumria ishte nxënëse shembullore, shumë e përkushtuar në mësim dhe tepër ambicioze. Tregonte interesim për fushën e shkencave të natyrës. E punoi dhe e mbrojti me sukses të shkëlqyeshëm punimin e diplomës nga lëmi i biologjisë. Kjo rezultoi si pak student të regjistrohet ne Fakultetin e Mjekësisë të cilin e kreu me kohë dhe sukses. Specializoi në lëmin e Transfuziologjisë. Këtë profesion e ushtroi me mjaft sukses gjatë tërë kohës”, tha profesor Geci.

Ndërsa shoku i saj i klasës, gazetari Sabit Istogu, në një prononcim për Drenica Press ka deklaruar se nxënësja e parë e gjimnazit të parë, ndër 60 nxënësit e gjeneratës së parë të gjimnazit “Ramiz Sadiku” tash “Hamëz Jashari” në Skenderaj, që atë kohë vlerësohej si një lloj universiteti për banorët e Drenicës, ishte edhe Kumrie Kadriu, e vetmja nxënëse femër të kësaj gjenerate.

“Ajo ka lë në  gjurmë të pashlyera drejt ngritjes arsimore e emancipuese nga e cila gjeneratë dolën 5 mjekë, në mesin e tyre edhe Kumria, pastaj jurist, pedagog, inxhinier, gazetar, që lanë gjurmë në historikun e kësaj komune, të frymëzuar për punë e aktivitet të ndryshme, deri në flijim për lirinë e pavarësinë e atdheut, siç ishte heroi Hamëz Jashari, po ashtu nxënës i kësaj gjenerate”, ka thënë  Istogu.

Sipas tij, nxënësit e kësaj gjenerate ishin të moshave të ndryshme, sepse shumë sish në pamundësi për t’u regjistruar në shkollimin e mesëm, e kishin ndërprerë atë, por me hapjen e dyerve të këtij gjimnazi, ata vazhduan shkollimin.

“Po mos të ishte ky gjimnaz, unë me siguri se do të mbetesha bujk e bari, shprehet dr. Nazof Goxhuli, i po kësaj gjenerate, e ngjashëm do të mbeteshin edhe shumë të tjerë”, thotë Istogu.

Ai  ka shtuar se Kumria për nga mosha ishte nxënësja më e re në mesin e shokëve të saj, por që kishte një karakter të fuqishëm patrioti, njerëzor dhe edukativ, si dhe ndër nxënëset më të mira, gjithnjë e shkëlqyeshme me të gjitha notat pesa.

Istogu kujton se Kumria ishte e afërt dhe komunikative me të gjithë shokët e gjeneratës, sepse ishin vetëm dy klasë të afërta mes vete, të cilët në mungesë të hapësirës shkollore, ishim të detyruar të bredhim herë në një lokacion, e herë në një tjetër, derisa në vitin e fundit, kaluan në objektin e ri, ky i tashmi, në të cilin kryejnë dhe po e mbarojnë shkollimin gjenerata të tëra.

“Më kujtohet dhjetori i vitit 1968, kur studentët ishin ngritë në demonstrata në Prishtinë, në kërkim të të drejtave kushtetuese e arsimore. Kumria na motivoj që edhe ne të dalim në demonstrata, por me të dal në rrugët e Skenderajt, me brutalitetin më të madh, na shpërndau policia”, për të shtuar se “ne që ishim në klasë me Kumrien, e respektonim jashtë mase, sa asnjë nga nxënësit, nuk fliste ndonjë fjale të ligë, kur ajo ishte prezent”, ka thënë ai.

Kumria, ka veçuar  Istogu kishte prirje të veçanta për të gjitha lëndët mësimore, por edhe për gjuhën shqipe, të cilën e doja edhe unë.

“Dëshira ime ishte të shkruaja, por nuk kisha besim në vete, andaj edhe e konsultoja Kumrijen, e cila me jepte kurajë se shkrimet e mia ishin te nivelit të mirë dhe unë vazhdoja të shkruaja dhe që atëherë, me këshillat e saj kisha shkruar një tekst drame teatrale, pasi në gjimnazin e atëhershëm, funksiononte edhe teatri shkollor, ku shfaqnim drama të shumta teatrale, Kumria nuk ishte aktore, por na mbështeste çdo herë.  Prandaj duhet të jetë krenare që po e përmbyllë një karrierë të bujshme, në kohë të bujshme, ashtu siç e kemi përmbyllë edhe ne shokët e saj të gjeneratës, duke qenë simboli dijes dhe emancipimit femëror në gjeneratën e parë të gjimnazit në Skenderaj”, ka thënë  Istogu. /Drenica Press/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz