Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, mori pjesë në pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke përcjellë urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit dhe popullit shqiptar. Ai e cilësoi këtë datë si një moment historik lirie, dinjiteti dhe drejtësie për kombin shqiptar.
Në fjalën e tij, Peleshi e konsideroi Pavarësinë e Kosovës një nga aktet më të ndritura të historisë moderne kombëtare, duke theksuar se ajo përfaqëson triumfin e të drejtës së një populli për të jetuar i lirë, sovran dhe i pavarur pas dekadash shtypjeje, diskriminimi dhe dhune sistematike. Ai vlerësoi sakrificën dhe qëndresën e popullit të Kosovës, si dhe rolin vendimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në realizimin e këtij qëllimi historik.
Kryetari i Kuvendit theksoi se, edhe pse një shtet i ri, Republika e Kosovës është shndërruar në një shtet demokratik dhe një faktor stabiliteti në rajon, duke zënë vendin e saj në komunitetin e vendeve demokratike. Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilët u rreshtuan në anën e drejtësisë dhe lirisë.
Në këtë kontekst, Peleshi shprehu shqetësimin për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare, duke theksuar se drejtësia për ta lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e vetë kauzës së Kosovës. Ai kujtoi gjithashtu Deklaratën e 13 shkurtit të Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare, duke e cilësuar këtë qëndrim si një detyrim moral, historik dhe kombëtar.
Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, i pari i Kuvendit shqiptar nënvizoi se ato janë marrëdhënie vëllazërore dhe një partneritet strategjik, i bazuar në histori, sakrifica dhe aspirata të përbashkëta për integrim euroatlantik. Ai theksoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, NATO dhe Këshillin e Europës.
Peleshi vuri në dukje gjithashtu mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, duke e konsideruar këtë një garanci të rëndësishme për të ardhmen e saj dhe të gjithë rajonit.
Në përfundim, ai theksoi se Pavarësia e Kosovës është një fitore e lirisë mbi shtypjen dhe një krenari për gjithë kombin shqiptar. Ai uroi institucionet e Kosovës për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik.