PDK: Vjosa Osmani mbetet notere e Albin Kurtit, pa guxim politik

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka komentuar vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo kërkesë kishte të bënte me interpretimin e mundshëm të situatës në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik, afat i përcaktuar më herët nga Gjykata përmes një aktgjykimi.
Musliu theksoi se nuk dëshiron të japë interpretim ligjor për situatën, por u shpreh në mënyrë kritike për rolin dhe veprimet politike të Osmanit.
“Vjosa Osmani mbetet brenda kufijve të karakterit dhe zhvillimit të saj politik. Një analizë retrospektive e karrierës së saj politike nuk zbulon asnjë rast të vetëm të kontributit të saj konstruktiv në stabilizimin e sistemit tonë politik. Edhe këtë herë, nuk pritej asgjë më shumë nga Vjosa Osmani.”, ka thënë Musliu në një prononcim për IndeksOnline.
Ajo kritikoi mungesën e asaj që e quajti kontribut konstruktiv të Osmanit në stabilitetin politik.
“Një analizë e mirëfilltë e deklaratave të saj të fundit zbulon se ajo është një presidente që: Që akuzon një person për rrezikim të rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare, kundër të cilit nuk janë marrë masa ndëshkuese. Që përpiqet të arsyetoj vetën për mos marrjen e masave ndëshkuese kundër personit që përbën kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, që përpiqet të mbulojë mungesën e profesionalizmit të saj në çështjet kushtetuese. Që vërteton se ajo është ende notere e Albin Kurtit, pa qëndrim dhe pa guxim politik.”, ka theksur Musliu.
Musliu komentoi edhe deklaratat e Osmanit, sa i përket zhvillimeve në Gjykatën Speciale, duke e akuzuar atë për hipokrizi politike.

Lexo edheAksident në një galeri në Bulqizë, humb jetën minatori
“Vjosa Osmani duket se ka harruar se gjatë gjithë karrierës së saj, ajo ka bërë të njëjtat akuza kundër ish-Presidentit Thaçi dhe të tjerëve që tani po përballen me një gjyq të kontaminuar politikisht dhe ligjërisht. Një deklaratë patetike nga Vjosa Osmani nuk i justifikon veprimet e saj për më shumë se një dekadë. Me gjithë respektin e duhur, akuzat që po dëgjojmë në Hagë janë të njëjtat që Vjosa Osmani ka bërë gjatë gjithë karrierës së saj në parlament dhe në studiot televizive. Ky është një fakt që e zeron besueshmërinë e saj”, theksoi ajo.
Tutje, Musliu konsideron se deklarata e Presidentes për një gjyqtar që rrezikon sigurinë kombëtare kërkon hetim nga autoritetet përkatëse.
“Si përfundim, deklarata e Vjosa Osmanit për gjyqtarin që rrezikon sigurinë tonë kombëtare duhet të hetohet nga autoritetet përkatëse, sikurse duhen hetuar shkaqet e heshtjes së pushtet mbajtësve ndaj këtij rreziku.”
Sipas Musliut, Presidentja nuk po del nga roli i saj si përfaqësuese politike e Vetëvendosjes.
“Qëndrimet e saj mbi përbërjen e kuvendit mbeten brenda fushëveprimit të detyrave të saj si notere e VV-së, ndërsa shqetësimi i saj për pranimin e dokumenteve serbe nga Gjykata Speciale dëshmon për hipokrizinë e saj ekstreme.”./IndeksOnline/














