PDK e LDK po i mbajnë të fshehura listat e kandidatëve për deputetë
Dy koalicionet parazgjedhore kanë vazhduar t’i mbajnë të fshehura listat e kandidatëve për deputetë. Vetëm Vetëvendosje ka publikuar emrat e kandidatëve. Ndërkohë, dy partitë bartëse të koalicioneve, PDK e LDK, kanë thënë se tek të hënën do të bëhen publike se kush dhe si janë renditur për t’u bërë deputet.
Dy partitë kryesore në Kosovë, PDK e LDK, si bartëse të koalicioneve parazgjedhore, kanë refuzuar të publikojnë listat përfundimtare të kandidatëve për deputetë, të dërguara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për certifikim.
Vetëm Partia e Albin Kurtit, deri tash, ka bërë publike listën finale, të kandidatëve për zgjedhjet e 11 qershorit.
Zyrtarët e PDK’së dhe të LDK’së kanë thënë se vetëm udhëheqësit e partive i kanë listat dhe se gjithçka do të bëhet publike të hënën, kur edhe përfundon afati i fundit për korrigjim e certifikim përfundimtar.
Express ka kontaktuar me disa zyrtarë të PDK’së e LDK’së, por askush s’ka guxuar të japë listën e kandidatëve.
Në PDK kanë thënë se është në dorën e Kadri Veselit se kur do të bëhen publike listat finale.

Lexo edheRaportohet se ka humbur Xhejlane Abdullahu
Ndërkaq, në LDK kanë thënë se po bëjnë disa korrigjime për t’i publikuar pastaj listat. Në mesin e tyre është edhe kërkesa e Behgjet Pacollit të zhvendoset prej numrit 2 në 50. Kjo me arsyetimin se aty dëshiron ta vendos Korab Sejdiun.
Partitë e vogla në koalicione, AAK, NISMA, AKR e Alternativa kanë publikuar vetëm emrat e kandidatëve për deputetë, por jo edhe renditjen e tyre.
Partitë politike kanë dorëzuar listat preliminare për deputetë të premten mbrëma për zgjedhjet nacionale që mbahen në javën e dytë të qershorit.
Kësaj radhe në zgjedhje shkojnë tri blloqe, PDK shkon me AAK e NISMA’n derisa LDK ka lidhur koalicion me AKR’në e Alternativën. Vetëm Vetëvendosje shkon e vetme në zgjedhje. Janë tre kandidat për Kryeministër: Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti e Albin Kurti.














