Pas Kryetares së Durrësit, a do të japë dorëheqje edhe Ministrja e Mbrojtjes pse s’e vendosi flamurin e Kosovës në pritjen?

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, e ka shënuar edhe një skandal me rastin e nderimit të shteteve që kanë ndihmuar Shqipërinë për tërmet. Në mesin e flamujve të vendosur para delegacioneve ndërkombëtare ka munguar ai i Republikës së Kosovës.
Flamuri i Republikës së Kosovës dhe as i Forcave të Sigurisë së Kosovës nuk është vendosur në vendin ku janë vendosur flamujt e shteteve tjera që kanë ndihmuar Shqipërinë të tejkalojë situatën e pas tërmetit.
Kështu, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, bashkë me Kryeministrin Edi Rama kanë nderuar delegacionet ushtarake dhe civile të shteteve tjera.
“Miqtë e vërtetë njihen në ditë të vështira dhe kurrë më shumë se këto ditë, kjo shprehje s’ka patur kaq shumë vlerë. Mbi 250 specialistë nga vende fqinje, mike e partnere na u gjendën pranë, që në orët e para të 26 Nëntorit.
Faleminderit secilit prej tyre, për kontributin dhe sakrificën gjatë operacioneve të kërkim shpëtimit. Një komb i tërë u është mirënjohës!”, shkroi Ministrja e Mbrojtjes.
Mirëpo, simboli i Republikës së Kosovës ka munguar në këtë aktivitet.
Ndërkohë, Kryetarja e Durrësit, Valbona Sako, dha dorëheqje pasi dha vlerësime pozitive se në tërmet pati vetëm 50 viktima.

Lexo edheRama nervozohet në transmetim live me lehjen e qenit, i thotë “Pusho ore ti, pusho”
Ajo dha dy deklarata kontradiktore. Në të parën tha se të prekurit nga tërmeti po dërgohen ne hotele me 5 yje, ku as për pushime s’kanë qenë ndonjëherë. Ndërsa, në deklaratën e dytë tha se ishte e kënaqur pse pati vetëm 50 viktima.
Tërmeti në Shqipëri përpos viktima ka lënë mbi 900 të plagosur, shtëpi e pallate të rrënuara. Si pasojë e kësaj, mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Një pjesë e banorëve janë strehuar nëpër kampe, disa nëpër hotele e një pjesë tjetër janë akomoduar në Kosovë.
Në ndihmë të Shqipërisë, menjëherë pas tërmetit, ishin nisur ushtarë e policë të Kosovës, të cilët kishin shpëtuar disa jetë njerëzish.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për Shqipërinë derisa biznesmeni Pacolli ka ndarë një milion euro të tjera.
Edhe biznese tjera kanë ndihmuar shqiptarët e Shqipërisë pas tërmetit që ndodhi në Thumanë dhe Durrës.














