Pas fishkëllimave, “ecja e turpit”: Camavinga kërkon falje me personalitet

Santiago Bernabéu nuk harron dhe, kur vendos të gjykojë, e bën pa mëshirë.
Gjashtë ditë pas eliminimit nga Champions League nga Bayern Munich, objektivi kryesor i frustrimit të publikut të Real Madridit u bë – natyrisht – Eduardo Camavinga, edhe pse shumë bashkëlojtarë të tjerë nuk u kursyen.
Mesfushori francez, protagonist negativ në “Allianz Arena” me një karton të kuq që e komprometoi kualifikimin, u prit me një valë fërshëllimash në momentin e hyrjes në fushë kundër Alavésit, shkruan “Gazeta Express”.
Fërshëllima të vazhdueshme në çdo prekje të topit, në një mbrëmje që tregoi edhe një herë sa i pamëshirshëm mund të jetë “Santiago Bernabéu”.
Megjithatë, momenti më domethënës erdhi pas fishkëllimës së fundit. Kur stadiumi kishte filluar të zbrazej, Camavinga mbeti në fushë. I vetëm. Ai bëri gjithë perimetrin e fushës duke duartrokitur tifozët dhe duke vendosur duart në gjoks në shenjë faljeje. Një gjest i fortë për të marrë përgjegjësinë për atë që kishte ndodhur.
Ky qëndrim nuk kaloi pa u vënë re, madje as nga trajneri i tij Álvaro Arbeloa, i cili e mbrojti me vendosmëri.

Lexo edheVedat Murqi me një mesazh falënderus ndaj tifozëve pas koreografis së djeshme
“Është lojtar me personalitet të madh. Pavarësisht moshës së re, ka eksperiencë dhe kur duhet është gjithmonë gati. Ka besimin e të gjithëve.”
Camavinga kishte kërkuar falje edhe më parë në rrjetet sociale, por ky gjest i drejtpërdrejtë përballë publikut tregon diçka më të thellë.
Francezi po e kalon një nga momentet më të vështira që nga ardhja në Madrid: gabime të fundit, më pak minuta dhe kritika në rritje.
Megjithatë, nga kjo “ecje e vetme” del një mesazh i qartë: ai nuk ka ndërmend të fshihet.
Dëshiron të qëndrojë, dëshiron ta rikthejë besimin e Bernabéut. Hapin e parë e bëri. Të radhës, do ta bëjë në fushë. /Gazeta Express














