Vetëm pak ditë pasi qarkulluan lajme për një martesë të afërt mes Luca Onestinit dhe Aleska Genesis, historia e tyre mori fund në mënyrë të papritur. Ish-konkurrenti i “Big Brother” në Itali dhe influencues i njohur, ndau në një transmetim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale detaje të ndarjes, duke treguar tronditjen e tij për mënyrën se si ndodhi.
Sipas Onestinit, ish-partnerja e tij kishte pyetur ChatGPT nëse ia vlente të vazhdonte lidhjen me të. “Si mundi ta bënte këtë? Isha kaq i dashuruar, kaq i mashtruar… nuk e di nëse po ëndërroj apo është një makth,” tha ai. Në një tjetër reagim në Instagram, ai shkroi: “Mjaft me princesha në jetën time.”
Ndërkohë, në një rastësi të veçantë kohore, kompania OpenAI njoftoi një funksion të ri për ChatGPT, i cili do t’i kujtojë përdoruesve të bëjnë pushime nëse biseda me inteligjencën artificiale zgjat shumë. Sistemi, i ngjashëm me njoftimet e konzollave Nintendo Wii dhe Switch, do të shfaqë mesazhe si: “Keni biseduar për një kohë, a është tani momenti për një pushim?”
Për disa, kjo është thjesht një veçori e re për përdorim më të shëndetshëm të teknologjisë; për Onestinin, duket se ChatGPT tashmë ka luajtur një rol vendimtar në fundin e një romance.