Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pas përhapjes së një videoje në rrjetet sociale, duke deklaruar se ajo është e manipuluar dhe nuk pasqyron të gjithë ngjarjen që ka ndodhur në ambientet e lokalit “Home”. Videoja ku një qytetar i afrohet Pacollit në një kafene dhe më pas i drejtohet me fjalët “ti je hajne, hajne” ka bërë bujë në rrjetet sociale.
Qytetari është intervistuar në Polici dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, por po hetohet për “kanosje”. Deputetja ka thënë se ky qytetar është Agim Pllashniku, që sipas saj, njihet për të kaluarën e tij të dhunshme.
Sipas Pacollit, incidenti nuk ishte i rastësishëm, por i organizuar dhe i koordinuar.
“Videoja që po qarkullon është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, që do të kandidojë për PSD-në në asamblenë komunale. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin ndaj meje dhe momentin kur agresori sulmon fizikisht asistentin tim. Në video mungon edhe çasti kur ai tenton të fusë dorën në çantën që mbante me vete, për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”, ka shkruar Pacolli në një reagim.
Ajo ka thënë se sjellja e Pllashnikut ishte kërcënuese dhe se ai i është afruar me ton provokues në tavolinën ku ishte ulur.
Sipas saj, dëshmitarë të incidentit ishin edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, përfshirë vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë që ndodheshin në lokal.
Pacolli ka kritikuar disa portale dhe analistë, të cilët sipas saj po e paraqesin ngjarjen në mënyrë të shtrembëruar.Portale dhe individë të financuar nga oligarkë po tentojnë të portretizojnë agresorin si viktimë. Ata janë shndërruar në instrumente të dhunës së organizuar kundër meje, duke përhapur urrejtje, kërcënime dhe thirrje për sulme politike e psikologjike”, thekson ajo.