Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës dhe ministër në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, është kapur në një tjetër deklaratë të pavërtetë – kësaj radhe, lidhur me incidentin e dhunshëm që ndodhi dje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, Çeku pretendoi se asamblistët e LDK-së e kishin sulmuar kryesuesin e Kuvendit, Fehmi Kupina. Por pamjet filmike të siguruara nga mediat e demantojnë krejtësisht këtë version, transmeton lajmi.net.
Në realitet, siç shihet qartë nga videot e përhapura në rrjet, ishte vetë Kupina – i shoqëruar nga disa persona të tjerë – që sulmoi fizikisht asamblistin e LDK-së, Sami Salihu, brenda ambienteve të Komunës. Përkundër kësaj, Çeku reagoi menjëherë, duke u munduar ta paraqesë Kupinën si viktimë dhe LDK-në si shkaktare të dhunës, pa pritur as sqarimin e organeve kompetente, e as publikimin e fakteve.
Kjo nxitim për ta politizuar një incident të dhunshëm, dhe për ta kthyer atë në një mjet fushate elektorale, ka ngjallur reagime të ashpra, sidomos duke qenë se zgjedhjet lokale janë vetëm pak ditë larg. Kritika ndaj Çekut po vijnë nga qarqe të ndryshme, me theks se ai, në vend që të dënojë agresionin bazuar në fakte, ka zgjedhur të shpërndajë dezinformata që i shkojnë përshtat fushatës së tij.
Çeku shkroi në Facebook se “LDK sot sulmoi njeriun që udhëheqë me Kuvendin Komunal”, duke e quajtur dhunën “të papranueshme”, por pa përmendur asnjëherë asamblistin që u godit. Kjo u pa si përpjekje e qartë për ta kthyer incidentin në avantazh politik për VV-në, edhe në kurriz të të vërtetës.
Ngutësia e ministrit në detyrë për të manipuluar opinionin publik përmes një rrahjeje reale, pa pasur asnjë informacion të verifikuar, ngre pyetje serioze mbi qasjen e tij ndaj etikës në komunikim dhe përgjegjësisë publike – veçanërisht kur synon të marrë drejtimin e kryeqytetit./lajmi.net/