Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku po e quan servilizëm ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, tërheqjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi si dhe të kryeministrit Haradinaj e Kryekuvendarit, Veseli për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Ai në një prononcim për “GazetaBlic” ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që edhe deputetët e tjerë të tërhiqen nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Si çdo politikan tjetër, tërheqja e presidentit, kryeministrit, kryetarit të kuvendit, mund të ndodhë edhe e deputetëve është tregues i servilizmit që kanë ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, se në vend që të bëjnë gjykatë vendore, ashtu siç kemi kërkuar ne që t’i gjykojnë të gjitha krimet e luftës, ata bëjnë lojëra me opinionin” – ka thënë Klinaku.
Ai konsideron se me tërheqjen e tyre ndaj iniciativës për shfuqizimin e speciales, presidenti e kryeministri së bashku edhe me deputetët e tjerë, janë duke i shkelur rregullat kushtetuese që i kanë para vetes, pasi sipas tij me nënshkrimet që i kanë dhënë deputetët ata kanë qenë të obliguar që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme.
“Unë vetëm mund t’iu them se ata janë duke i shkelur rregullat e Kushtetutës që e kanë para vetes sepse nënshkrimet që i akne dhënë deputetët kanë qenë të obliguar që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme. Janë duke i shkelur edhe rregullat e këtij kuvendi që vet i kanë miratu” – ka thënë Faton Klinaku.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje në një emision ka deklaruar se nuk beson se do të ketë sukses iniciativa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e Gjykatën Speciale.
Kujtojmë që me datë, 22 dhjetor të viti që shkoi 43 deputet të Kuvendit të Kosovës kishin nënshkruar propozimin për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Kjo ngjarje solli reagime të shumta, gjë që bëri të dështoi mbajtja e një seance të jashtëzakonshme.