Francezi, Ousmane Demebele, ashtu siç pritej e fitoi Topin e Artë, çmimin më prestigjioz individual.
Ai la prapa Lamine Yamalin – që zuri vendin e dytë – dhe bashkëlojtarin e tij te PSG-ja, Vitinhan.
Pasi iu nda çmimi i Topit të Artë, Dembele ishte shumë i emocionuar dhe disa herë u ndalë edhe nga lotët që i dilnin.
Ai në fjalimin e tij pas shpalljes më i miri në botë, falëndëroi nënën e tij, familjen, por nuk harroi të përmend edhe Barcelonën.
“Kam marrë këtë çmim nga një prej legjendave më të mëdha të të gjitha kohërave, nuk mund ta besoj. Ky është një çmim falë kolektivit. Dua t’i falënderoj të gjithë shokët e skuadrës. Dua ta falënderoj FC Barcelona, klubin e ëndrrave të mia. Kam luajtur me Lionel Messin, dua ta falënderoj edhe atë, kam mësuar kaq shumë prej tij”, tha ai fillimisht.
“Dua ta falënderoj vendlindjen time, Eure. Sa herë që kam mundësi, kthehem atje. Njerëzit në lagjen time më kanë ndihmuar të arrij deri këtu”, vazhdoi tutje.
“Mamaja ime, dua të të falënderoj [nis të qajë]. Ti gjithmonë ke qenë aty për mua, mama. Për familjen time, kemi kaluar kaq shumë së bashku. I kemi përjetuar të gjitha. Do të jemi gjithmonë bashkë”, përfundoi ai./GazetaExpress/