back to top
Thursday, December 18, 2025
BallinaLajmeOEAK kundërshton vendimin e MINT-it për çmimin e naftës: Këto vendime janë...

OEAK kundërshton vendimin e MINT-it për çmimin e naftës: Këto vendime janë të rezervuara për qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik

Të ngjajshme

KQZ zhvillon sot mbledhjen e radhës, ky është rendi i ditës

Komisioni Qendror Zgjedhor do të zhvillojë sot mbledhjen e...

U eliminua nga Kupa e Holandës, Robin van Persie mbrëmë pati një fjalosje me tifozët

Skuadra e Feyenoordit është eliminuar herët nga Kupa e...

NATO me buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e...

Krasniqi pas hapjes së fushatës: E nisëm në Prizren, për të vazhduar në mbarë Kosovën

Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas hapjes së fushatës...

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka kundërshtuar fuqishëm, vendimin e marrë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për të vendosur masa administrative që përcaktojnë marzha maksimale tregtare për produktet e naftës.

Ata kanë rikujtuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, duke e kufizuar ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e çmimeve, përveç rrethanave rreptësisht të përcaktuara dhe përjashtimore.

Për përcaktimin e çmimeve të karburanteve përmes akteve adminitrative, OEAK ka thënë se përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në treg të lirë.

“Një ndërhyrje e tillë cenon parimet themelore kushtetuese të lirive ekonomike, sigurisë juridike dhe konkurrencës së lirë, si dhe krijon një precedent shqetësues për përfshirje diskrecionale të shtetit në tregjet ku çmimet duhet të përcaktohen nga oferta dhe kërkesa. Përveç shqetësimeve kushtetuese, Oda Amerikane thekson se ky vendim është miratuar nga një qeveri në detyrë, mandati i së cilës është ligjërisht dhe institucionalisht i kufizuar. Qeveritë në detyrë pritet të sigurojnë vazhdimësinë e administrimit dhe të përmbahen nga miratimi i vendimeve substanciale politike që ndikojnë materialisht aktivitetin ekonomik, strukturën e tregut apo të drejtat dhe detyrimet e aktorëve të sektorit privat”, thuhet në reagim.

OEAK ka kujtuar edhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës, që thotë se ka riafirmuar autoritetin e kufizuar të institucioneve në detyrë për të miratuar akte normative me ndikim të gjerë ekonomik, si dhe ka urdhëruar detyrimin e organeve ekzekutive për të vepruar në mënyrë të përmbajtur dhe brenda kufizimeve të qarta ligjore.

Sipas OEAK, ky vendim gjyqësor forcon më tej qëndrimin se vendimet me impakt të gjerë ekonomik, janë të rezervuara për qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik e parlamentar.

“Përtej dimensioneve ligjore dhe institucionale, Oda Amerikane rithekson se çmimet e karburanteve ndikohen nga një gamë e gjerë faktorësh të jashtëm dhe strukturorë, përfshirë tregjet ndërkombëtare të naftës, zhvillimet gjeopolitike, zinxhirët rajonalë të furnizimit, kostot e transportit dhe sigurimit, luhatjet valutore dhe shpenzimet operative lokale. Kufizimet administrative të marzhave nuk i pasqyrojnë këto realitete dhe rrezikojnë të çrregullojnë tregun, të dekurajojnë konkurrencën dhe të rrezikojnë sigurinë e furnizimit në një ekonomi shumë të varur nga importi, siç është Kosova. Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë menjëherë dhe të shfuqizojë vendimin për kontrollin administrativ të çmimeve, të respektojë garancitë kushtetuese të ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, të respektojë kufizimet ligjore që vlejnë për qeveritë në detyrë, si dhe t’i adresojë shqetësimet e tregut përmes transparencës, zbatimit të konkurrencës dhe dialogut me sektorin privat, në vend të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në çmime”, thuhet tutje në reagim.

Të martën, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se ka vendosur marzhë tregtare për produktet e naftës që përdoren për transport.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.

Hajdari tha se vendimi për caktimin e masave mbrojtëse për produkte të naftës që përdoren për transport u mor me qëllim të “mbrojtjes së konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor”.

“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, shkroi ajo në Facebook.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Sipas Hajdarit, parashihet që të shtohen inspektimet nga Inspektorati i Tregut lidhur me zbatimin e vendimit.

Çmimi aktual i naftës me pakicë është rreth 1.25 euro për litër.

Edhe në të kaluarën, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, tashmë kryeministër në detyrë, kishte vendosur masa mbrojtëse për naftën.

Më 2023, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga naftëtarët, të cilët kishin argumentuar atëbotë se vendimi ishte marrë bazuar në inspektimin e disa kompanive që “abuzojnë me çmimin e naftës” dhe se vendime të tilla “po dëmtojnë të gjithë sektorin”.

Edhe më 2022, Qeveria kishte vendosur masa mbrojtëse për produkte të naftës duke përcaktuar një çmim tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të kësaj lënde. /Lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz