OBSh: Rreziku për epidemi të murtajës në Rusi mbetet i ulët

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka zbuluar shenja të përhapjes së mëtejshme të sëmundjes që nga vdekja e Darya Shipilova, javën e kaluar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka deklaruar se rreziku për një epidemi të murtajës në Rusi është i ulët, pas vdekjes së papritur të një punonjëseje laboratori që punonte në një institut kërkimor për murtajën në Siberi, raporton The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Darya Shipilova, 28 vjeçe, vdiq javën e kaluar, dy ditë pasi u sëmur. Sipas raportimeve të mediave ruse, ajo mund të jetë infektuar pas një aksidenti në vendin e punës, ku ruhen dhe studiohen patogjenë të rrezikshëm.
Autoritetet ruse e kanë minimizuar situatën dhe kanë deklaruar se Shipilova vdiq nga “pneumonia me shkak të panjohur”. Masa të rrepta karantine janë vendosur në qendrën kërkimore në qytetin e Irkutskut dhe në disa spitale përreth.
Christian Lindmeier, zëdhënës i OBSH-së, tha të martën se nuk ka shenja të një përhapjeje më të gjerë të sëmundjes.
“Të gjithë personat që kanë pasur kontakt me pacientët, sipas raportimeve, janë identifikuar dhe po monitorohen për shenja sëmundjeje. Deri tani, asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma”, tha ai.

Lexo edheGjashtë lëngje frutash që i bëjnë mirë trupit
Ai shtoi se zyrtarët rusë po vazhdonin të hetonin nëse vdekja e Shipilovës ishte shkaktuar nga murtaja pulmonare virale, ndërsa OBSh-ja e ka vlerësuar rrezikun shëndetësor si “mesatar deri të ulët” për Irkutskun, “të ulët” për pjesën tjetër të Rusisë dhe “shumë të ulët” për Evropën.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje Rusisë të martën që të jetë transparente lidhur me vdekjen e Shipilovës.
“Shkëmbimi në kohë, i plotë dhe transparent i informacionit, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit, është thelbësor për të sqaruar raportimet kontradiktore dhe për të mundësuar një vlerësim të saktë të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik”, shkroi ai në platformën X.
Sipas mediave ruse, 60 kolegë të Shipilovës janë izoluar në institutin ku ajo punonte që nga e premtja, duke fjetur në dysheme dhe karrige ndërsa kryhen testimet. Masa të ngjashme janë marrë edhe në pesë spitale, ndërsa të afërmve u është ndaluar vizita te pacientët. /














