Shkruan Anisa Bega
A ka fatkeqësi më të madhe, sesa të jetosh me frikën se çfarë mendojnë të tjerët për ty dhe ta bësh sterrë realitetin ku jeton?!
Nuk mbaron me kaq, ne edhe në vendin e punës, duam të spiunojmë te shefi, që të na marrë me sy më të mirë, t’ia çojmë kafen te zyra dhe t’i bëjmë lajka se me këtë rast mund ta kemi punën më të sigurt, ndërsa ata që flasin hapur dhe bëjnë punën e tyre shihen si “problematikët”.
Ne nuk ndihemi mirë kur tjetrit i ecën mbarë dhe analizojmë me detaje, si ia arriti të jetë kaq mirë, në vend që të shohim punën tonë dhe të përpiqemi të përmirësojmë veten tonë.
Kemi shumë ligësi brenda nesh dhe nuk duam të kemi një jetë tonën, nuk ka zë gjumi pa i bërë llogaritë tjetrit dhe nuk humbasim asnjë rast pa e bërë tjetrin të ndihet keq, duke e prekur te diçka që e ka pikë të dobët. Nëse dikush të bën një nder, ke frikë se pas kësaj fshihet ndonjë interes që do ketë prej teje. Mos të flasim për korrektesën në marrëdhëniet sidomos në punë, ku nuk kanë respekt fare për kohën e tjetrit, ti i dërgon një mesazh, ndërsa përgjigja ose të vjen shumë vonë, ose nuk të vjen fare. Nuk e kemi sensin e bashkëpunimit, por kush tregon se ka më shumë pushtet!
Ne ankohemi për çdo gjë rreth nesh dhe kemi frikë të përballemi vetë me realitetin. Le ta fillojmë me gjetjen e problemeve te vetja jonë, e më pas të mendojmë të shajmë realitetin ku jetojmë. Askush nuk jua ul kokën, pa dëshirën tuaj. Nuk na e ka fajin vendi, por vetja jonë! Unë e dua Shqipërinë time dhe vendet kudo ku ka shqiptarë, bashkë me zakonet dhe traditat tona!