Asparagusi është bimë barishtore, shumëvjeçare. Daton që nga viti 200 p.e.s, dhe bënë pjesë në familjen Liliace (zambakore). Është bimë e pasur me vitaminat: A, B1, B2, C, E, si dhe me sheqer, yndyrë dhe minerale të ndryshme. Asparagusi në Europë u bë i njohur në Angli dhe Francë në shekullin XVI-të, ndërsa në Amerikë kjo bimë u dergua nga kolonët. Në ditët e sotme më së shumti kultivohet në Kinë, SHBA, Francë, Itali, Gjermani, ndersa në Kosovë ka filluar të kultivohet në vitet e fundit, ku për momentin janë 3 fermer të cilët merren me kultivimin e asparagusit.
Asparagusi është bimë shumë e rëndësishme në industrinë ushqimore. Është bimë e fortë dhe ka një jetëgjatësi prej 13 deri në 20 vite, varësisht sa i kushtohet kujdes. Asparagu është bimë e hershme pranverore dhe mund të kultivohet në 3 ngjyra: të gjelbërt, të bardhë dhe vjollce, por asparagu i gjelbërt kultivohet më së shumti.
Vlerat ushqyese të asparagusit
Asparagu është bimë me kalori shumë të ulët. 100 gr asparagus i freskët jep vetëm 20 kalori. Më shumë kalori do të digjën për tretjen se sa që do të fitohen nga ngrënja e asparagusit.
Asparagu përmbanë nivele të moderuara të fibrave dietik. Fibrat dietik ndihmojnë në kapsllëk, ulin nivelin e kolesterolit të keq duke u lidhur me të në zorrë, dhe rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak.
Asparagu i freskët është burim i mirë i antioksidantëve qe ndihmojnë në heqjen e radikalëve të dëmshëm nga trupi, duke e mbrojtur atë nga kanceri, sëmundjet neuro-degjenerative dhe infeksionet virale.
Është i pasur me acid folik.
Është i pasur me vitamina të grupit B-kompleks, vitamina C, A dhe E.
Gjithashtu është burim i mirë i vitaminës K, vitaminë e cila ka rol të madhë për shëndetin e kockave, dukë nxitur aktivitetin osteotrofik (formimi i kockave).
Është i pasur me minerale të bakrit dhe të hekurit, por edhe në sasi më të vogla është i pasur me minerale tjera si: kalium, kalcium, mangan, fosfor etj.
—
Shkruar nga Msc Alkend Tahirsylaj / Gazeta Bujku