19 persona kanë vdekur dhe mbi 2700 të tjerë janë lënduar gjatë aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës që nga janari i këtij viti.
E hiç më larg se mbrëmë, gjatë orëve të para të mëngjesit, katër persona mbetën të vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në rrethrrotullimin në kryeqytet.
Shefi i Njësisë së Hetimit të Komunikacionit Rrugor, Nazmi Zogaj ka thënë se dyshohet
se shkaktari kryesor i këtij aksidenti të ketë qenë tejkalimi i shpejtësisë.
“Të gjitha aksidentet që përfundojnë me fatalitet, shumica prej tyre shkaktar
kryesor e kanë tejkalimin e shpejtësisë. Edhe në këtë aksident dyshohet se
shpejtësia ka qenë e tejkaluar për rrugën ku ka qenë duke lëvizur automjeti”.
Zogaj që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se një shkaktar
tjetër i këtij aksidenti tragjik mund të jetë edhe mungesa e ndriçimit.
“Është e vërtetë se në këtë rrethrrotullim ekzistojnë disa reflektorë por në ditën
kritike nuk ka qenë në funksion, sa i përket arsyes se pse nuk kanë punuar,
duhet biseduar me institucionet që i mbikëqyrin”.
Megjithatë sipas Zogaj, hetimet për këtë aksident janë duke vazhduar akoma dhe deri tani
mund të flitet vetëm për dyshime, dhe jo një version zyrtar përfundimtar.
“Ne fillimisht nisemi nga dëshmitë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, më pas bëhen
hetime shtesë, të gjitha përmblidhen në fund dhe japim një version zyrtar”.