Një zyrtar i Vatikanit po bën një vizitë të rrallë në Tajvan për festimet e një organizate bamirëse budiste

Një zyrtar i Vatikanit po zhvillon këtë javë një vizitë të rrallë në Tajvan për 60-vjetorin e themelimit të organizatës bamirëse budiste Tzu Chi Foundation, në një kohë kur Selia e Shenjtë po punon për të përmirësuar marrëdhëniet me Kinën, shkruan Reuters.
Vatikani është një nga vetëm 12 vendet që ende mban marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, të cilin Kina e konsideron territor të saj, dhe i vetmi vend në Evropë që e njeh atë, megjithëse nuk ka ambasador të vendosur në Taipei.
Në një njoftim të publikuar nga fondacioni Tzu Chi dhe Ministria e Jashtme e Tajvanit, thuhet se kardinali Peter Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, ndodhet këtë javë në Taipei për ngjarjet e përvjetorit të organizatës.
“Taiwani dhe Vatikani ndajnë vlera universale si liria fetare, të drejtat e njeriut, paqja dhe vëllazëria,” thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme, e cila shton se vendi mirëpret dhe mbështet shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar fetar.
Tzu Chi njoftoi se Turkson të hënën ka vizituar selinë e saj në qarkun lindor të Hualien. Vatikani nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesës për koment.

Lexo edheKosova prezantohet për herë të parë si shtet partner në forumin “Future Industry Minds” në Gjermani
Një tjetër zyrtar i Vatikanit, Paulin Batairwa Kubuya, nën-sekretar i Dikasterit për Dialog Ndërfetar, kishte vizituar Tajvanin vitin e kaluar për të marrë pjesë në një konferencë dhe për t’u takuar me përfaqësues të feve të ndryshme.
Pavarësisht marrëdhënieve zyrtare, Presidenti i Tajvanit Lai Ching-te nuk mori pjesë as në funeralin e Papa Françeskut vitin e kaluar, as në inaugurimin e Papa Leonit në Vatikan.
Të dielën në mbrëmje, mijëra vullnetarë dhe staf i Tzu Chi morën pjesë në ceremoninë kryesore në Sheshin Liberty të Taipeit, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Lai dhe ambasadori de facto i SHBA-së në Tajvan, Raymond Greene.
Tzu Chi vepron në mbarë botën, sidomos në zonat e fatkeqësive, dhe megjithëse është organizatë budiste, ajo bashkëpunon me fe të ndryshme














