Pandemia i ka marrë jetën një tjetër mjeku në Shqipëri, doktorit Gëzim Lamaj nga Berati, i cili ishte shtruar prej ditësh në Spitalin Infektiv.
Mjeku radiolog 66 vjeça ka lënë pas bashkëshorten e tij mjekë, Anilën dhe të birin.
Lajmin e ka dhënë deputeti i PS në zonës, Fadil Nasufi, që ka vlerësuar cilësitë e larta të Dr. Lamaj.
“Berati zgjohet sot me një lajm trishtues dhe tepër tronditës! – shkroi Nasufi në Fb. – Ndahet nga jeta pas një beteje me Covid-19, Dr. Gëzim Lamaj, mjek radiolog! Njeri i mrekullueshëm, humanist i rrallë si ai, gojëmbel, fytyrëqeshur, model i mirësisë dhe i përkushtimit ndaj qytetarëve të Beratit!
Na janë shteruar fjalët nga helmi i përditshëm i vdekjes! Ndarja nga jeta e Dr Gëzimit, pikëllon gjithë qytetarët beratas dhe bluzat e bardha. Është hidhërim i pa ngushëllueshëm, por edhe apel për kujdes nga ky virus vrastar!
Ngushëllime Dr. Anilës për humbjen e bashkëshortit dhe djalit Renatos për humbjen e babait!
Të prehet në paqe Dr Gëzim Lamaj! Lamtumirë mik i çmuar!”