Alarmi për një objekt të dyshimtë në Rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka rezultuar fals.
Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, forcave xheniere dhe ekspertëve të antieksplozivit, është konstatuar se objekti që ngriti dyshimet nuk përmbante asnjë lëndë shpërthyese apo material të rrezikshëm.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, bën me dije se bëhej fjalë për një kovë të lënë pranë rrugës, e cila për shkak të rrethanave dhe vendndodhjes krijoi dyshime dhe solli aktivizimin e menjëhershëm të procedurave të sigurisë.
Për disa minuta, zona u rrethua nga efektivët e policisë, ndërsa qarkullimi i automjeteve në segmentin pranë Ambasadës Amerikane u bllokua për të mundësuar verifikimet e nevojshme.
Pas kontrollit të plotë të kryer nga specialistët, u konfirmua se objekti nuk përbënte asnjë rrezik për qytetarët dhe nuk kishte përmbajtje të dëmshme apo shpërthyese.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave, perimetri i sigurisë u hoq dhe qarkullimi në zonë iu rikthye normalitetit. Autoritetet vijojnë të apelojnë që çdo objekt i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të rendit, ndërsa verifikimet paraprake në këtë rast konfirmuan se alarmi ishte i pabazuar./TCh/