Një fjalëkalim i dobët rrëzon një kompani 158-vjeçare dhe la pa punë qindra njerëz

Një gabim i vetëm, një fjalëkalim i pambrojtur, dyshohet se është bërë shkaku i shkatërrimit të një kompanie britanike me një histori prej 158 vitesh, duke lënë pas 700 punonjës të papunë.
Sipas një raportimi nga BBC, kompania e transportit KNP, me qendër në Northamptonshire, është një prej mijëra bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar që kanë rënë pre e sulmeve gjithnjë e më të shpeshta kibernetike.
Në muajt e fundit, edhe emra të mëdhenj si M&S, Co-op dhe Harrods janë bërë objekt i këtyre sulmeve. Madje, drejtuesi i Co-op ka pranuar publikisht se të dhënat personale të 6.5 milionë anëtarëve të kompanisë janë komprometuar.
Në rastin e KNP-së, mendohet se hakerët kanë hyrë në sistemin informatik përmes një fjalëkalimi të thjeshtë që i përkiste një punonjësi. Pasi siguruan qasjen, ata kriptuan të dhënat dhe paralizuan gjithë funksionimin e brendshëm të kompanisë.
Drejtori i KNP-së, Paul Abbott, ka treguar se nuk i ka zbuluar punonjësit faktin që fjalëkalimi i tij mund të ketë sjellë fundin e kompanisë. “A do të doje ta dije nëse ishe ti ai shkaktar?”, pyet ai retorikisht.
Richard Horne, drejtori i Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike në Britani, thekson nevojën urgjente që organizatat të marrin masa serioze për të mbrojtur sistemet e tyre, duke theksuar se sulmet ransomware janë bërë një rrezik i përditshëm.

Lexo edheTritol në makinën e 31-vjeçarit të kërkuar për plagosje në Sarandë
Në vitin 2023, KNP operonte me rreth 500 mjete transporti, shumica nën markën Knights of Old. Kompania pretendon se kishte sisteme IT të përshtatura me standardet e industrisë, si dhe sigurim kundër sulmeve kibernetike. Por edhe kjo nuk mjaftoi.
Grupi i njohur kriminal “Akira” arriti të depërtonte në sistem. Pas sulmit, punonjësit humbën qasjen në të gjitha të dhënat kritike për funksionimin ditor. Hakerët kërkuan një pagesë për rikthimin e informacionit, megjithëse nuk dhanë një shumë të saktë. Një kompani ndërmjetëse që merret me negociata të këtij lloji, vlerësoi se kërkesa mund të arrinte deri në 5 milionë paund.
KNP nuk kishte mundësinë ta përballonte këtë shumë. Për pasojë, të dhënat nuk u rikthyen dhe kompania shpalli falimentimin.
Rasti i KNP-së është një shembull tronditës se si një neglizhencë e vogël në sigurinë digjitale mund të ketë pasoja shkatërruese. Ekspertët britanikë paralajmërojnë se vetëm masa të rrepta sigurie dhe edukim i vazhdueshëm i punonjësve mund të ndalojnë përhapjen e kësaj vale sulmesh që po godet rëndë bizneset dhe qytetarët në të gjithë vendin.














