back to top
Wednesday, March 4, 2026
BallinaKulturëNjë ekspozitë për jetët e humbura trans

Një ekspozitë për jetët e humbura trans

Të ngjajshme

UEFA gjobit Galatasarayn, kjo është arsyeja

UEFA ka vendosur ta gjobisë skuadrën e Galatasarayt. Kjo për...

Apple prezanton MacBook-et e rinj: Performancë “ndryshuese loje”

Nëse MacBook-u juaj aktual po jep shenja lodhjeje, tani...

S’i zgjat gëzimi Wolvesit, Salah barazon

Liverpooli ka shënuar golin e barazimit ndaj Wolvesit. Është egjiptiani,...

Ish-deputeti i LVV-së: Nuk ka matematikë që e rizgjedh Osmanin presidente

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejta, ka deklaruar se...

Mes viteve 2021 dhe 2025, artisti zezak jobinar Sage Ni’Ja Whitson udhëtoi në 91 vende në 15 shtete të SHBA-së.

Në secilin prej këtyre vendeve kishte ndodhur vdekja – nga vrasja ose vetëvrasja – e një personi trans, jokonform me gjininë ose interseks. Në çdo ndalesë, Whitson zhvilloi një ceremoni për të dëshmuar dhe për të nderuar jetën e humbur.

“Ishte shumë sfiduese, në mënyra nga të cilat ende po shërohem,” shprehet artisti. “Kjo punë ka kosto për trupin dhe shpirtin.”

Fryti i këtij udhëtimi është ekspozita personale These Waking Glories, aktualisht e hapur në California African American Museum (CAAM) në Los Anxhelos. Përmes fotografive dhe instalacioneve, ekspozita dokumenton ceremonitë dhe përbën një dëshmi të fuqishme të dhunës që vazhdon të prekë komunitetet racore dhe gjinore në SHBA.

90 piedestale për kujtesën

Në qendër të ekspozitës qëndron një instalacion me 90 piedestale, secili i dedikuar një personi të ndjerë. Mbi çdo piedestal ndodhet një kavanoz me esenca të përgatitura nga materiale të mbledhura në vendin ku ka ndodhur vdekja, si dhe një shall kadifeje me emrin e të ndjerit. Dy piedestale nuk mbajnë emër, duke simbolizuar ata që mbeten të panjohur.

Whitson i ndërtoi piedestalet me lartësi 61 inç (rreth 155 cm), në mënyrë që vizitorët të detyrohen të ngadalësojnë hapin dhe t’i afrohen me respekt. Frymëzimi vjen nga traditat shpirtërore Yoruba, ku disa faltore nuk janë të aksesueshme për publikun e gjerë, duke ruajtur një distancë të shenjtë.

Në çdo vend, artisti mblidhte materiale natyrore dhe, falë formimit në herbalizëm, i kthente në esenca të lëngshme. Para mbledhjes së tyre, ai kryente rite që përfshinin lutje, këngë, meditime dhe oferta me barishte, sherebelë apo duhan, duke kërkuar “leje” nga toka për të vazhduar ceremoninë.

Në disa raste, kjo praktikë e vendosi në situata të rrezikshme. Ndërsa nderonte kujtimin e një gruaje trans në Atlanta, ai u detyrua të largohej shpejt për shkak të vëmendjes së padëshiruar në një hapësirë publike.

Dialog me komunitetin

Një pjesë thelbësore e projektit ishte bashkëpunimi me komunitetet lokale trans. Kur ishte e mundur, Whitson organizonte rrethe ndarjeje historish, ku persona trans zezakë dhe jokonformë me gjininë rrëfenin përvojat e tyre të mbijetesës në një mjedis shpesh armiqësor. Këto takime shpesh ndërthureshin me iniciativa të tjera komunitare, si festa DJ, mbledhje fondesh për persona të pastrehë apo aktivitete për të drejtat civile.

“Ishte e rëndësishme që puna të festonte jetët e atyre që janë gjallë, ndërkohë që nderonte humbjet,” thotë ai.

Ekspozita vjen në një kohë kur, sipas Human Rights Campaign, dhuna ndaj personave trans në SHBA është në nivele alarmante, duke prekur veçanërisht gratë trans zeza. Whitson e sheh projektin si një akt kundër harresës dhe zhdukjes sistemike të identiteteve trans.

“Kur ka përpjekje për të fshirë identitetet tona, kjo është një tjetër formë vdekjeje,” shprehet ai. “Është më shumë se e rëndësishme ta bëjmë këtë punë tani – jo për të spektakularizuar dhunën, por për të vendosur në qendër kujtesën dhe për të bashkuar njerëzit.”

Që nga viti 2022, Whitson ka qenë pjesë e një programi rezidence në CAAM. Projekti, megjithëse emocionalisht dhe financiarisht i lodhshëm, i ka dhënë kurajë për të qëndruar besnik vizionit të tij artistik.

“Ndërtimi i vitalitetit shpirtëror të komuniteteve trans zeza është punë thelbësore për mbijetesën tonë,” përfundon ai. “Është një punë që dua ta vazhdoj.” /GazetaExpress/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz