Kukësi ka rinisur edhe njëherë punën nga merkatoja, megjithëse në skuadër janë afruar shumë lojtarë para se të fillonin ndeshjet në Kupat e Europës. Sot pritet të prezantohet mbrojtësi Ardian Cuculi dhe mesfushori që vjen nga Juventusi, Oumar Ture.
Ky i fundit, ka mbërritur në Shqipëri gjatë mesnatës, ndërkohë që “VIP Sport”ka mësuar edhe kushtet e kontratës që mesfushori do të firmosë me verilindorët e Kukësit. Ai do të përfitojë një pagë që kap shifrat e 40 mijë eurove në sezon, ndërkohë që Kukësi ka arritur të sigurojë edh 15% të vlerës së kartonit të tij.
Kjo përqindje e kartonit, do të përfitohet nga Kukësi vetëm në rast se Oumar Ture do të arrijë të shkëlqejë në Shqipëri dhe në fund të sezonit, do të shitet te një skuadër tjetër. Aktualisht, kartonin e Tures e zotëron Juventusi dhe këta të fundit kanë lejuar lojtarin që të kalojë te Kukësi me shpresën që të ketë minutat e duhura dhe të arrijë të shkëlqejë në kampionatin shqiptar, në mënyrë që në fund të shitet diku tjetër.
Kjo nuk është hera e parë që skuadrat shqiptare marrin lojtarë nga Seria A, pasi më parë ka qenë Partizani që mori Ekubanin nga Kievoja, ndërkohë që po nga Kievoja, ishte Skënderbeu që arriti të merrte sulmuesin Ali Soue. Që të dy lojtarët arritën të shkëlqenin në Superiore, ndërkohë që më pak ra në sy Toungara i Flamurtarit që u mor nga Lacioja.
