Drejtori Rajonal i Policisë, Nënkolonel Faton Pllana, ka ndarë letra falënderimi për qytetarin z. B. Osmani, si dhe për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, për bashkëpunimin, reagimin e shpejtë dhe kontributin e tyre të drejtpërdrejtë në lokalizimin e një personi të zhdukur.
Më datë 23.01.2026, falë informatës së menjëhershme dhe të saktë të qytetarit B. Osmani, e cila iu drejtua Qendrës së Komunikimit Rajonal të Policisë, si dhe angazhimit profesional të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, u bë i mundur lokalizimi i një personi të zhdukur, shtetas i Republikës së Shqipërisë, në fshatin Budakovë të komunës së Suharekës.
Bashkëpunimi me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim është i vazhdueshëm dhe përfshin edhe raste të tjera të kërkimit të personave të zhdukur, duke dëshmuar koordinim profesional dhe angazhim të përbashkët në shërbim të sigurisë publike.
Ky rast përfaqëson një shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet qytetarëve, shoqatave dhe policisë, si dhe dëshmon nivelin e lartë të besimit të qytetarëve ndaj institucionit tonë.
Po ashtu, me këtë rast, Drejtori Rajonal i Policisë ndau mirënjohje për dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Ferizaj, për përgjegjësi profesionale, guxim dhe veprime të suksesshme policore të realizuara gjatë muajit janar 2026, duke dëshmuar përkushtim të lartë profesional në kryerjen e detyrave zyrtare.
Policia Rajonale e Ferizajt shpreh falënderim të veçantë për qytetarët dhe shoqatat që bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë dhe rithekson se bashkëpunimi dhe reagimi në kohë janë faktorë kyç në parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve, si dhe në rritjen e sigurisë së përgjithshme publike.


