Prishtinë, 8 dhjetor – Së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Enver Hoxhaj, jemi para jush për të biseduar me ju lidhur me të arriturat evidente që janë shënuar në raportet e Kosovës me organizatat ndërkombëtare si dhe në fuqizimin ndërkombëtar të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me jashtë.
Duke iu drejtuar gazetarëve në konferencën e sotshme, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa njoftoi për lajm të mirë nga NATO.
Fillimisht, më lejoni të ndaj me ju një lajm të rëndësishëm, i cili dje na erdhi nga NATO-ja, konkretisht nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg.
Siç jeni të informuar, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës vitin e kaluar i kam dërguar një letër Sekretarit Stoltenberg, ku kam kërkuar zyrtarisht fuqizimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, në disa dimensione të rëndësishme për Kosovën.
Si rezultat, dje pranova zyrtarisht një përgjigje shumë inkurajuese nga NATO-ja në letrën tonë
Duke marrë në konsideratë propozimet tona të arsyeshme, sekretari i NATO-së në përgjigjen e tij na ka konfirmuar avancim substancial të bashkëpunimit dhe mbështetjen e Kosovës si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.
Më konkretisht, Këshilli i Atlantikut Verior është pajtuar për fuqizimin e bashkëpunimit të NATO-s me Kosovën brenda mandatit respektiv të KFOR-it dhe të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s, i bashkëpunim pritet të avancohet nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Në letrën e NATO-s na kanë ofruar mundësi për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën.
Këto aktivitete përfshijnë:
– Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.
– Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.
– Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.
– Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.
– Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.
– Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).
– Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.
– Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve, dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike.
Pra, sekretari i NATO-s, Stoltenberg, na ka kthyer një përgjigje tejet kuptimplotë, e cila në esencë krijon mundësitë për bashkëpunim thelbësor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s.
Konsideroj se ky është ky është një lajm shumë i rëndësishme për Kosovën, pasi që hap një kapitull të ri të marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu e fuqizon rolin e Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon dhe si një partner i besueshëm i NATO-s në përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh mirënjohje për NATO-n, shtetet anëtare, Sekretarin Stoltenberg dhe autoritetet tjera, duke theksuar kënaqësinë që kjo organizatë e cila para 17 vjetësh ndërhyri për të mbrojtur vlerat më të larta humanitare në Kosovë, tashmë i ka hapur udhë avancimit të raporteve të bashkëveprimit me shtetin e Kosovës.
Ashtu siç është nënvizuar edhe në Samitin e NATO-s në Varshavë, ku liderët e shteteve mirëpritën aspiratat e Kosovës për avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj dhe për të kontribuar në sigurinë në rajon dhe më gjerë, më lejoni të shpreh përkushtimin e Kosovës që gradualisht të avancojë në procesin e anëtarësimit dhe që në një periudhë optimale të bëhemi anëtare e NATO-s.
Si kryeministër i vendit, vlerësoj se Kosova ka bërë dhe po bën hapa të sigurt në ndërtimin e institucioneve shumë të afta dhe kredibile në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kemi Policinë e Kosovës e cila është ranguar si shumë kredibile, e organizuar dhe e menaxhuar mirë, ashtu siç është edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është e organizuar sipas standardeve më të larta ndërkaq pjesëtarët e saj janë të shkolluar dhe të trajnuar në qendrat elite amerikane dhe evropiane. Duhet përmendur edhe AKI-në e cila po tregohet shumë profesionale dhe e përgjegjshme në fushëveprimin e saj shumë të ndjeshëm.
Ne do të mbështesim fushën e sigurisë dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit jo vetëm në këtë pjesë të Evropës por edhe në aspektet globale.