
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka folur pas barazimit me Slloveninë.
Pirati dardan ka thënë se ka qenë një lojë e vështirë, duke thënë se kjo pikë nuk duhet nënçmuar.
“Lojë e vështirë për ne. Sllovenia është mbrojtur shumë kur e kishim ne topin. Personalisht nuk e nënçmoj këtë pikë – do të na vlejë shumë muajin e ardhshëm”, deklaroi Muriqi.
Ai tha se Sllovenia e shtyu Kosovën që të mbrojet, pasi në 20 minutat e fundit “po luanin më shumë” në fushën e Kosovës.
“Kam vendosur të tërhiqem që të mos kenë mundësi të dërgojnë topa pas mbrojtjes sonë, ku janë shumë të rrezikshëm. Diferencën e bëri Sllovenia, sepse na shtyu të mbrohemi më shumë dhe ka luajtur më shumë në fushën tonë, sidomos në 20 minutat e fundit”, theksoi ai.
Muriqi ka bërë me dije se ndaj Suedisë do të jenë 100% të gatshëm.
“Kemi pasur një rënie të vogël, ndoshta nga pritjet për fitore të thellë. Por tani jemi të përqendruar – në Suedi do të shkojmë 100 për qind të gatshëm”, përfundoi kapiteni i Kosovës.
Kosova është e dyta në Grupin B me katër pikë pas tri ndeshjeve, me Zvicrën që është e para me nëntë pikë.
Suedia – kundërshtari i radhës i Kosovës – është e fundit në grup me një pikë të vetme./GazetaExpress/