Murati: Punimet për segmentin e fundit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë pritet të nisin së shpejti

Kosova pritet të bëjë një hap të ri drejt përfundimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe delegacioni i Fondit Saudit për Zhvillim kanë diskutuar për financimin dhe procedurat për segmentin e fundit të kësaj rruge, ndërsa në fokus ka qenë edhe një projekt i ri në sektorin e shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja për segmentin e fundit të rrugës tashmë është nënshkruar dhe ratifikuar, ndërsa punimet pritet të nisin së shpejti.
“Ne sapo përfunduam një takim që kishim pas vizitës së delegacionit nga Fondi Saudit për Zhvillim që kishim në rrugën për Mitrovicë, pra në segmentin tashmë të përfunduar, segment i cili ka qenë i financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Dhe siç e dini, ne tashmë kemi nënshkruar dhe është ratifikuar edhe marrëveshja ndërkombëtare për pjesën e dytë pra të këtij segmenti, pra rrugës prej Smrekovicës që vazhdon pra deri në Mitrovicë. Pra që kompleton të gjithë segmentin e rrugës apo rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Marrëveshja tashmë siç e thashë është nënshkruar dhe ratifikuar, dhe parashihet që punimet të fillojnë së shpejti, por për këtë do t’ia kaloj fjalën ministrit Basha”, ka thwnw ai.
Murati tha se në takim është diskutuar edhe për financimin e një projekti të ri në sektorin e shëndetësisë.
“Ndërkaq gjithashtu gjatë takimit diskutuam edhe për projektin tjetër, pra për të cilin jemi në negociata e që ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë. Pra do të jetë spitali i ri i pulmonologjisë apo mushkërive, i cili parashihet ka financim në vlerë prej 20 milionë dollarëve, në mënyrë që të sigurohet një hapësirë moderne me teknologjinë më të fundit në hapësirat e QKUK-së. Pra aty parashihet që të bëhet ndërtimi, por edhe për këtë nëse ka nevojë për detaje shtesë, ministri Vitia. Unë nuk po e zgjas më tepër, ja po ia kaloj fjalën zotëri Al-Marshad”, shtoi Murati.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan bin Abdulrahman Al-Marshad, tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me Kosovën.
“Është kënaqësi e ime e madhe të jem këtu sot në këtë vend të bukur, Kosovë, për të inauguruar projektin e parë të përfunduar në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Dhe vitin e kaluar kemi nënshkruar një tjetër segment për të njëjtën rrugë për t’u financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim. Jemi shumë krenarë që jemi partner zhvillimor me Kosovën dhe do të donim të vazhdojmë partneritetin tone”, tha ai.
Ai tha se shpreson që marrëveshja për projektin në sektorin e shëndetësisë të nënshkruhet së shpejti.
“Gjithashtu kemi diskutuar për një projekt shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Mezi po presim ta nënshkruajmë së shpejti këtë marrëveshje huaje për financimin e këtij projekti, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por shpresojmë ta nënshkruajmë shumë shpejt me vëllain tonë Ministrin e Financave dhe ministritë e tjera”, deklaroi ai.
Al-Marshad tha se Fondi Saudit për Zhvillim është i gatshëm të vazhdojë mbështetjen për projektet zhvillimore në Kosovë.
“Kemi pasur një diskutim frytdhënës rreth projekteve zhvillimore në Kosovë dhe se sa ndikim kanë ato për njerëzit. Jemi këtu për të treguar gatishmërinë tonë për të mbështetur projektet e infrastrukturës në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ndwrsa, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, dha detaje për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, i cili ka filluar në vitin 2009.
“Në lidhje me këtë rrugë, Projekti për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, siç e dini ka filluar në vitin 2009. A, si projekt i tërësishëm, me një gjatësi prej 26.7 kilometra, ku janë investuar përafërsisht rreth 100 milionë dollarë amerikanë.”
Basha tha se në mars të këtij viti është përuruar segmenti prej 9.8 kilometrash.

Lexo edhePas 12 vjetësh, Rita Ora kaloi testin e vozitjes
“Marsin e këtij viti kemi përuruar, siç e tha zoti Al-Marshad, segmentin me një gjatësi prej 9.8 kilometra për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, projekt i realizuar në bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona, pra Fondit Saudit për Zhvillim, si dhe Fondit të OPEC-ut për Zhvillimin Ndërkombëtar, për çfarë i falënderoj për mbështetjen dhe kontributin e tyre të shumtë.”
Ai tha se për segmentin e mbetur tashmë ekziston marrëveshja me Fondin Saudit për Zhvillim.
“Po ashtu për segmentin e mbetur Prishtinë-Mitrovicë, tani e kemi marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim, e cila është në shkurt të vitit 2024-ën, korrekt, kurse marrëveshja siç e dini ka marrë kohë votimi në parlament për shkak të një kuorumi jo-funksional.”
Ministri Basha tha se projekti do të financohet nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe Qeveria e Kosovës, me një vlerë totale prej 15 milionë eurosh.
“Sipas kësaj marrëveshjeje, Fondi Saudit për Zhvillim do të jetë… do ta financojë projektin me 43 milionë rialë sauditë apo 11.3 milionë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 3.7 milionë euro, pra gjithsej projekti prej 15 milionë euro.”
Basha theksoi se bëhet fjalë për pesë kilometra të rrugës, të cilat do të ndërtohen me standarde moderne.
“Ky segment është pjesa e fundit përfundimtare e rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Bëhet fjalë për 5 kilometra dhe për këtë ndërtim do të kemi një rrugë moderne me nga dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjente dhe katër kryqëzime kryesore, sistem të rregulluar të kullimit dhe elemente të tjera të nevojshme të sigurisë rrugore.”Ai njoftoi se aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat për shpronësimin dhe rishikimin e projektit, para nisjes së tenderimit.
“Aktualisht, sa për njoftimin tuaj, jemi në fazën përgatitore të elaboratit të shpronësimit, që është në përfundim e sipër, dhe gjithashtu do të bëjmë rishikimin e projektit, kështu që të sigurohemi që projekti të shkojë pa pengesa dhe menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave do të fillojmë me procedurat e tenderimit për realizimin e këtij segmenti përfundimtar që lidh Prishtinën me Mitrovicën.”
Basha tha se përfundimi i rrugës pritet të përmirësojë qarkullimin ndërmjet Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
“Ky investim është i një rëndësie të veçantë sepse mundëson përfundimin e kësaj lidhjeje mes Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës. Me realizimin e këtij projekti do të ulen vonesat në trafik dhe do të krijohen kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve, por njëkohësisht do të përmirësohet edhe ambienti për zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.
Basha tha se institucionet do të synojnë që projekti të realizohet në mënyrë efikase dhe transparente.
“Do të bëjmë më të mirën që këtë projekt ta realizojmë në mënyrë sa më efikase të mundshme. Me këtë rast edhe njëherë dua ta falënderoj përzemërsisht zotin Al-Marshad dhe Fondin Saudit për Zhvillim për bashkëpunimin dhe mbështetjen e treguar për këtë projekt, për të cilin kemi në fokus realizimin me transparencë dhe llogaridhënie të plotë, duke u udhëhequr gjithmonë nga interesi më i mirë publik dhe përfitimet maksimale për qytetarët tanë”, tha ai.














