Muharremi kritikon propozimin e fundit për presidentin: Kriza po përdoret për zgjedhje, jo për zgjidhje

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit politike në vend, duke i cilësuar ato si “lojëra fajësimi” dhe jo përpjekje reale për zgjidhje të krizës institucionale.
Sipas tij, propozimi i fundit për zgjidhjen e çështjes së presidentit është i vonuar dhe joserioz, pasi, siç thotë ai, një nismë e tillë do të duhej të ishte bërë muaj më parë, gjatë procesit dhe jo në prag të skadimit të afatit kushtetues.
Muharremi vlerëson se ofrimi i një zgjidhjeje në momentet e fundit, me afate të shkurtra kohore, është praktikisht i parealizueshëm dhe, sipas tij, ka për qëllim vetëm zhvendosjen e përgjegjësisë te pala tjetër.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje se janë të vetëdijshëm për pamundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë nga opozita, duke sugjeruar se propozimi është bërë me qëllim dështimin e tij.
Sipas Muharremit, vendimi për të shkuar në zgjedhje është marrë më herët dhe, siç thekson ai, situata aktuale po përdoret për të krijuar kriza të reja politike.

Lexo edheTrump: Irani po bën një ofertë, do të shohim
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se, pavarësisht mbështetjes së gjerë elektorale, nuk po adresohen problemet e qytetarëve, ndërsa vendi, sipas tij, po përballet me rritje të vështirësive ekonomike dhe sociale.
Në fund, Muharremi thekson se zhvillimet e fundit politike nuk kanë për qëllim zgjidhjen e krizës, por thellimin e saj dhe orientimin e vendit drejt zgjedhjeve të reja.














