BallinaOpinioneMos e humbni rastin të dielën!

Mos e humbni rastin të dielën!

Të ngjajshme

Casemiro shënon me kokë, i jep epërsinë Unitedit

Manchester Unitedi ka shënuar golin e epërsisë ndaj Brentfordit. Është...

FIFA e bën një ndryshim të madh për Botërorin 2026

FIFA ka arritur një marrëveshje për një ndryshim të...

Mainoo pritet të vazhdojë kontratën me Manchester Unitedin

Kobbie Mainoo do të nënshkruajë më në fund kontratën...

“Fantazmat” mund të jenë thjesht zhurma nga tubat e vjetër

Pretendimet për aktivitete paranormale mund të kenë një shpjegim...

Këtë të dielë zgjedhim deputetët që do të na përfaqësojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ka shumë peshë vota e secilit me 6 tetor. E drejta për të votuar, duhet të shfrytëzohet masivisht, për t’i dhënë legjitimitetin e duhur procesit. Por, kënd duhet ta votojmë? Ka parti që nuk u zihet fort besë, liderë që e tradhtojnë besimin e votuesve, megjithatë në listat e subjekteve në garë, ka plot kandidatë me integritet që e meritojnë votën.

Është fare e qartë se ata iu janë bashkuar partive, me shpresën se do të ketë ndryshime. Shpesh, nuk ndodh kështu, sepse në Kuvend mbërrijnë njerëz që nuk e meritojnë. Pastaj është ky soj përfaqësuesish që e mundëson qeverinë e pazareve dhe jo qeverinë në shërbim të vendit. Prandaj, mbështetja e kandidatëve seriozë, është vendimtare.

 

 

Është e rëndësishme se cila parti del e para, por ajo që vlen shumë është cilësia që do ta ketë legjislatura e re. Ata do ta zgjedhin ekzekutivin e ri, kryeministrin e ardhshëm dhe ekipin e tij. Këto janë zgjedhje parlamentare, ku sovrani vendos se kush do ta përfaqësojë në mandatin e ri.

Në secilën listë gjen njerëz të zotë, të dëshmuar, profesionistë, të dinjitetshëm, humanistë. Partitë para zgjedhjeve i hapin dyert për ta, sepse me emrin e tyre fitojnë vota. Por, në zgjedhjet e kaluara, në mesin e fituesve, kjo kategori ishte pakica. Shumicën e përbënin jomeritorët, servilët, militantët apo të afërmit e liderëve.

Si rrjedhojë edhe vendimmarrja, qeverisja dhe demokracia në përgjithësi, u godit keq. Zbehja e zërit përfaqësues, e cenon interesin publik dhe forcon korrupsionin politik.

Në këto zgjedhje, janë dy zgjidhje përpara. Votuesit mund të zgjedhin përfaqësuesit më të mirë e të ndëshkojnë politikanët që abuzuan me besimin e popullit. Zgjidhja tjetër është vazhdimi i kësaj gjendjeje të rëndë, të krijuar për shkak të keqqeverisjeve të njëpasnjëshme.

Beteja për vota është gjithnjë e ashpër, më e fortë mes vetë kandidatëve brenda një partie, sesa mes subjekteve rivale. Jo pak njerëz, për shkak të kushteve sociale, nuk ngurrojnë ta trafikojnë votën e tyre. Plot të tjerë, për interesa të ngushta, e orientojnë votën për llogari të politikanëve mashtrues.

Është fatkeqësi që vota të mos e jetë e lirë dhe e vullnetshme. Është tragjedi kur ajo vidhet dhe keqpërdoret. Në zgjedhjet e Kosovës, të gjitha këto ndodhin dhe çka mund të shmanget, janë përmasat e këtij rreziku.

Sidoqoftë, me 6 tetor, mekanizmi kryesor i Republikës, është në duart e sovranit. Në këtë njëzetvjetor të çlirimit, nuk ka mbetur njeri pa u bindur se kush është i miri e kush i keqi, cilët bëjnë e cilët nuk vyejnë asgjë, cila parti meriton opozitën e kush do të duhet ta udhëhiqte qeverinë e re.

Kjo është votë që vendos për së paku 10 miliardë euro buxhet në katër vitet e ardhshme. Prandaj as mund të shitet, as të falet, as të keqpërdoret. Të shkojë aty ku është shpresa për ndryshim. Te njerëzit e duhur.

Me 6 tetor, njerëzit e këtij vendi, mund t’u tregojnë politikanëve milionerë se kjo është Republika e qytetarëve të lirë e jo prona e disa liderëve, tekat dhe skandalet e të cilëve, kanë shkaktuar largimin e 280 mijë kosovarëve viteve të fundit e shumë dëme të tjera.

Kjo e dielë, mund të shënojë një kthesë të madhe. Mos ta humbim rastin!

AUTOR: Prof. Asoc. Elmaze Nura

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz