Argjentina u kualifikua për në fazën e eliminimit direkt pas fitores ndaj Nigerisë në ndeshjen e fundit në grup që u zhvillua mbrëmë, shkruan Metro.
Skuadrës së Lionel Messit i duhej gjithsesi fitorja, por ishte edhe e rëndësishme që Islanda të mos arrinte fitore ndaj Kroacisë, në ndeshjen që po zhvillohej paralelisht.
Kroatët nuk lëshuan pe dhe shënuan dy gola ndaj islandezëve, dhe pasi Marcos Rojo shënoi golin e dytë për albicelestët në minutat e fundit, Messit i interesoi të dinte çfarë po ndodhte në takimin ku Islanda luftonte për kualifikim.
Në një video amatore shihet se si Messi pyet dikë në bankën rezervë nëse ndeshja mes Kroacisë dhe Islandës kishte përfunduar dhe e kupton që pasi Ivan Perisic kishte shënuar golin e dytë, Islanda më nuk kishte gjasa që t’ia zë vendin Argjentinës.
Kroacia do të ndeshet me Danimarkën, kurse Argjentina me Francën. /gazetametro.net