Shkruan Labinot GJINI
Megjithatë, në këto zgjedhje, krahu i luftës si tërësi (LVV, AAK, PDK, Nisma) ka marr, ndoshta për herë të parë, mbi 51% të votave. Por më e bukura është se LVV ka marr primatin e këtij krahu të luftës dhe e detyron atë të rirreshtohet pas saj. Konkurrenca tani nuk do të jetë kush po shkon me fol me Serbinë në mes tyre, po kush po shkon me fol me Tiranën.
Populli i tregoi këtij krahu të luftës se ai ishte i papranueshëm kështu siç ishte orientuar deri më tani. Ishte i papranueshëm si i korruptuar materialisht dhe ideologjikisht.
Ishte i papranueshëm si i implikuar në krim, në zhvatje, në pasurim të padenjët.
I papranueshëm në mohim të luftës çlirimtare të UÇK-së duke votuar Gjykatën Speciale dhe duke u distancuar nga synimet e saja.
I papranueshëm kur burgosi çlirimtarët me prova fallco dhe rihabilitoi kriminelët, bojkotuesit, bashkëpunëtorët e armikut me të cilët bënë biznes e politikë.
I papranueshëm kur mbështilleshin dhe krekoseshin me atë flamurin e kompromiseve lara lara dhe mohonin flamurin e tyre të luftës, të betejave me të cilin ju vranë shokët e idealit.
I papranueshëm kur krijuan një “kombëtare të dytë” për t’i përçarë shqiptarët deri edhe në sport.
I papranueshëm në çdo gjë që nuk i takon një krahu të luftës. Kështu populli i pa dëgjuar, i pa kuptuar, ju dërgoi një model të krahut të luftës për tu ndjekur. Ky model i krahut të luftës tjetër është LVV. Ky model është vullnet i popullit të Kosovës i cili e ka riformatuar orientimin e politikës në përgjithësi dhe ka riorientuar konkurrencën, në veçanti.
Prandaj ju krahu i luftës ngado që jeni, kuptojeni se përpjekja juaj e re, e vetmja që mund t’ju sjell sukses dhe mirënjohje, është që t’ja kaloni LVV në përpjekje për bashkim kombëtar, në përpjekje për pastërti morale dhe ideologjike, në përpjekje për të ofruar zhvillim ekonomik, në përpjekje për ta mbrojtur luftën dhe UÇK-në, në përpjekje për ta refuzuar kategorikisht Serbinë, shkurt dhe shqip, në përpjekje për ta bërë Shqipëri.
Kjo është konkurrenca e re në të cilin jeni të thirrur për t’ja kaluar LVV nga partitë tuaja respektive. Përndryshe ju morri lumi i historisë! Ju morri LVV.