Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Podujevës kanë nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit, përmes të cilit do të realizohet një investim prej dy milionë eurosh për renovimin e stadiumit të qytetit.
Ky projekt madhor synon modernizimin e plotë të infrastrukturës sportive, duke krijuar kushte më të mira për sportistët, klubet dhe komunitetin lokal.
Punimet do të zhvillohen sipas standardeve bashkëkohore të arkitekturës dhe inxhinierisë, duke e kthyer stadiumin në një hapësirë funksionale, të sigurt dhe bashkëkohore.
Projekti, ndër të tjera, parasheh ndërtimin e tribunës lindore, vendosjen e mbulesës në tribunat ekzistuese dhe ndriçimin e stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbështetjen e sportit dhe zhvillimit të aktiviteteve sportive në Podujevë.