Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj katër të pandehurve me inicialet Q.K., B.M., L.T. dhe F.A.
Sipas njoftimit, të pandehurit dyshohen për veprën penale “Manipulimi me prova”, nga neni 389 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe argumenteve të mbrojtjes, ka vlerësuar se nuk ekzistojnë kushtet për caktimin e arrestit shtëpiak.
Në vendimin e gjykatës thuhet se lënia në liri e të pandehurve do të sigurojë praninë e tyre në procedurë, pa penguar apo vonuar zhvillimin e çështjes penale. Po ashtu, gjykata thekson se nuk duhet aplikuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për të arritur të njëjtin qëllim.
Me këtë vendim, të pandehurit janë lënë në liri deri në përfundim të procedurës.