Skandali me praninë e mishit të pasigurt për shëndetin e njeriut në tregun kosovar nuk duket se do të marrë fund shpejt. Episodi i fundit i kësaj çështjeje është regjistruar në Skënderaj, ku Komuna ka bërë të ditur që ka konfiskuar rreth 30 kilogramë mish të dyshimtë, shkruan Gazeta Metro.
“Gjatë aktivitetit inspektues, janë inspektuar edhe shitësit ambulant të cilët tregtojnë produkte të mishit me origjinë vendore. Me këtë rast janë konfiskuar këto produkte:
Mishë i ngrirë 6 pako, virshlle 4 pako, mish gjedhi i tymosur 5 copë, si dhe qofte 6 pako, në sasi prej 30kg.
Këto produkte janë konfiskuar pasiqë është konstatuar që janë jo të sigurta për tregun,(dëmtime në ambalazh, jashtë afateve të perdorimit si dhe mungesë të faturave)”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skënderajt.
Nga fotografitë e publikuara bashkë me këtë njoftim, rezulton që mishi është i prodhuar nga kompania ‘Buquku’ me bazë në Pejë.
Të kontaktuar nga Gazeta Metro, përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë thënë që janë në dijeni për këtë rast, ndërsa kanë shtuar që nuk kanë përgjegjësi për mishin e konfiskuar në Skënderaj, pasi që siç thonë ata, shitësit në Skënderaj mund të kenë qenë të pakujdesshëm me mishin duke e lënë t’i skadojë afati.
“Përndryshe, te ne kanë qenë inspektorët e AVUK’ut sot për inspektim dhe kanë konstatuar që nuk kemi telashe”, kanë deklaruar nga fabrika e mishit ‘Buquku’.
Rasti me mishin e dyshimtë në Skënderaj është një ndër shumë rastet kur u konfiskua mish i prishur, pa afat apo në gjendje tjetër të parregullt nëpër shitore në qytete të ndryshme të Kosovës gjatë kësaj jave.
Kujtojmë që Gazeta Metro raportoi në disa raste për mishin e prishur të konfiskuar nëpër rrjete të mëdha supermarketesh si ETC, Viva Fresh e Super Viva në Ferizaj e Mitrovicë./gazetametro.net