Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, deklaroi se vendi i tij po punon aktivisht për të ndërmjetësuar dialogun mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me synimin për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.
Gjatë kontakteve diplomatike me Egjiptin, Turqinë dhe Arabinë Saudite, Dar bëri të ditur se janë diskutuar mënyra të mundshme për përfundimin e menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të konfliktit në rajon.
Ai shtoi se homologët dhe përfaqësuesit e këtyre vendeve janë informuar edhe për mundësinë e zhvillimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad.
Sipas tij, iniciativa e Pakistanit për të pritur këto negociata mbështetet edhe nga Kina. Dar theksoi gjithashtu se si Teherani, ashtu edhe Uashingtoni kanë treguar besim ndaj Pakistanit si ndërmjetës, duke e konsideruar atë një kanal të besueshëm për lehtësimin e dialogut. /Panorama